Taulant Seferi kërkon të jetë golashënuesi i Superiores. Në këtë moment që flasim ka dhjetë gola në 18 takime, duke vazhduar të tundë rrjetën e kundërshtarëve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi kryesor i bardhebluve pranoi se shpreson që Tirana të fitojë titullin, ndërsa nga ana tjetër thotë se skuadra duhet t’i marrë me kujdes ndeshjet nga tani e deri në fund të sezonit.
Pranon se nuk do të jetë e lehtë, sepse tani nis e vështira. Seferi shpjegoi edhe nisjen e bardhebluve, duke deklaruar se Vllaznia ishte rastësi.
Keni fituar një ndeshje të madhe, ndërsa tani Tirana është nëntë pikë nga Kukësi dhe gjashtë nga Laçi…
Jam shumë i kënaqur me golat e shënuar. Jam i kënaqur me ekipin, sepse kemi fituar ndaj një kundërshtari shumë të fortë siç është Kukësi. Ishte një ndeshje perfekte nga ana e Tiranës. E përsëris jemi shumë të lumtur me 4-0.
Një ndeshje ku duket se Tirana e ka vrarë kampionatin. Besoj se shpresat e atyre që ndjekin janë të vogla?
Unë sërish them që është herët për të folur për gjëra të mëdha. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Duhet të marrim çdo ndeshje me shumë seriozitet dhe të punojmë shumë.
E përsëris, është shumë herët për të folur për një ekip kampion. Me shpresën e Zotit t’i marrim takimet një nga një dhe në fund të shohim se çfarë do të ndodhë.Gjithsesi, jemi në rrugën e duhur me këtë fitore. Le të vazhdojmë kështu edhe në takimet e tjera.
Për këtë vit nuk e kishit bërë sefte me gola në kampionat. Shënuat dy gola.
Të them të vërtetën, po. Takimin e parë me Vllazninë kishim shumë vështirësi. Në sfidën me Dinamon e morëm veten. Ama them se fitorja ndaj Dinamos ishte shumë e rëndësishme. Tani e treta ishte super. Jemi kthyer atje ku ishim, në derbi dhe besoj se do të vazhdojmë me këtë ritëm.
Tani luani me Skënderbeun. Shehi tha që është ndeshja më e vështirë për Tiranën…
Po, është ndeshje shumë e vështirë kundër Skënderbeut. Jemi duke e përgatitur maksimalisht këtë takim dhe do të japim maksimumin. Do të jetë një ndeshje e vështirë.
Fjalën titull nuk e pranoni, ama golashënues i Superiores dëshironi të jeni në këtë kampionat?
Shpresoj dhe dua që të shënoj sa më shumë. Fundi do të tregojë gjithçka: rezultati, golat dhe nëse do të jem golashënues. Unë dua që të shënoj sa më shumë në këtë kampionat.