Shkruar nga Endri ÇINARI
Sezoni 2025-26 në Superiore po merr gjithnjë e më shumë formën e një gare të fortë për titullin kampion dhe në qendër të kësaj lufte qëndron rivaliteti mes Dinamos dhe Vllaznisë. Dy skuadrat, rivale direkte për kreun, ndajnë aktualisht të njëjtin kuotim pikësh në kampionat, me nga 33 pikë secila, duke e bërë çdo përballje mes tyre vendimtare.
Ekipi i Ilir Dajës mban vendin e tretë në renditje, ndërsa ai i Edi Martinit pozicionohet në vendin e katërt, por diferencat janë minimale dhe çdo hap fals mund të kushtojë shtrenjtë. Pikërisht për këtë arsye, dueli i radhës mes tyre, që do të luhet këtë javë në raundin e 20-të të Superiores, pritet me interes të jashtëzakonshëm, pasi mund të përcaktojë shumë për vazhdimësinë e sezonit.
Deri më tani, bilanci i përballjeve direkte në sezonin 2025-26 është në barazpeshë të plotë. Në fazën e parë, Dinamo doli fituese me rezultatin 3-1 në Elbasan, falë golave të Bregut, Guindos dhe Berishës, ndërsa për Vllazninë shënoi golin e vetëm Bekim Balaj. Një fitore bindëse e kryeqytetasve, që konfirmoi ambiciet e tyre për titull.
Por shkodranët u kundërpërgjigjën në fazën e dytë. Në “Loro Boriçi”, Vllaznia tregoi pjekuri dhe forcë karakteri, duke triumfuar 1-0 falë një goli vendimtar të Balajt, sulmuesit që u shndërrua në njeriun e ndeshjes dhe riktheu ekuilibrin mes dy skuadrave.
Kjo barazpeshë rezultatesh pas dy dueleve të para flet qartë për rivalitetin e ashpër dhe nivelin e lartë të konkurrencës mes Dinamos dhe Vllaznisë. Të hënën, në përballjen e radhës, do të shihet se cila prej tyre do të arrijë të bëjë diferencën, jo vetëm në renditje, por edhe në aspektin psikologjik, në një sezon ku çdo ndeshje mund të jetë vendimtare për fatin e titullit kampion.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


