Bojan Zogoviç luan se zonin e tij të tretë te Vllaznia. Portieri malazez ka qenë protagonist absolut në skuadrën shkodrane gjatë dy sezoneve të kaluara dhe jo më kot drejtuesit kanë insistuar për të rinovuar kontratën.

Në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës në kampionat, 33- vjeçari luajti ndeshjen e tij të 100-të me fanellën kuqeblu në të gjitha kompeticionet (Superiore, Kupa e Shqipërisë, Superkupë dhe Liga e Konferencës). Zogoviç ishte vendimtar kundër bardhebluve, duke mbajtur portën të paprekur në këtë takim jubilar për të.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, malazezi tregon për momentin e mirë që po kalon, si dhe sulmuesit që i kanë shkaktuar më tepër probleme. Ai shpreson që pas dy Kupave të fituara me Vllazninë, ky të jetë sezoni i duhur që të festojë me titullin kampion si kuqeblu.


Bojan, 100 ndeshje me Vllazninë pa u futur ende në mesin e sezonit të tretë me fanellën kuqeblu. E mendonit në fillim kur erdhët në Shkodër se do të kishit këtë vazhdimësi?

Së pari, të koleksionoj 100 ndeshje me fanellën e Vllaznisë është një nder i madh për mua. Të jem i sinqertë, nuk kam menduar numrin e ndeshjeve që do të luaj, por vetëm si të ndihmoj ekipin që të arrij rezultate të mira. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua, por sigurisht që jam krenar për 100 ndeshjet e zhvilluara deri më tani.


Ndaj Tiranës nuk pësuat gol dhe kjo ishte hera e dytë në këtë kampionat. Besoni te kjo vazhdimësi?

Mendoj se ekipi ynë ka potencial dhe cilësi për më tepër. Këtë e treguam në dy ndeshjet me Tiranën, ku në fazën e parë fituam dhe në të dytën barazuam, në një kohë që u luajtën të dyja në transfertë. Ne duhet të vazhdojmë me lojëra të mira, sepse kampionati është i gjatë. Duhet të jemi në maksimumin tonë në çdo ndeshje, pasi i kemi aftësitë.


Ju kënaqi barazimi në kryeqytet?

Ne patëm disa raste të mira, por edhe kundërshtari na rrezikoi. Unë mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë i asaj ndeshjeje, edhe pse me pak fat mund të kishim dalë me tri pikë.

Keni marrë katër pikë ndaj kryesuesve të Tiranës në dy ndeshjet ndaj tyre, është ky një tregues se Vllaznia do të jetë për titull?

Është një kampionat i gjatë dhe është shumë herët për të folur për këtë, por unë jam optimist si gjithmonë.


Cila nga ndeshjet e deritanishme ju ka mbetur më shumë në mendje, qoftë edhe sa u përket pritjeve që keni bërë?

Nuk mund të veçoj një ndeshje, sepse vërtet janë shumë në këto dy vite e gjysmë. Siç e thashë, gjëja më e rëndësishme për mua është ekipi dhe sigurisht më duhet të theksoj se jam krenar për dy kupat e fituara në dy sezone radhazi me Vllazninë.


Ka diçka që nuk jeni i kënaqur dhe kërkoni ta përmirësoni?

Me trajnerin Ideal Lekiqi ne gjithmonë punojmë për të korrigjuar disa gjëra, që mund t’i bëjmë më mirë. Jam i kënaqur që trajneri po punon shumë mirë me mua dhe me të riun Kristi Qarri.


Cilin prej sulmuesve të Superiores do të veçonit si më të frikshmin?

Xhixha i Tiranës dhe Skuka i Partizanit janë të mirë. Këta mund të dalloj, por ka edhe sulmues të tjerë të shkëlqyer në kampionat.


Në garën për titull ju tremb më tepër Tirana apo Partizani?

Ne nuk kemi frikë nga askush dhe kjo është e sigurt. Nuk ka arsye, pasi shikojmë vetëm veten dhe ekipin tonë. I kemi të gjitha cilësitë për të kapur vendin e parë, kështu që duhet të vazhdojmë kështu.