HomeKRYESORE“Të erdhi ora që të humbësh”, Luis Enrike i bën presion Italisë...

“Të erdhi ora që të humbësh”, Luis Enrike i bën presion Italisë dhe refuzon Barçën: Laporta s’e ka numrin tim

Një duel për hakmarrje. Kështu po e përgatit Luis Enrike ndeshjen kundër Italisë, të programuar në fillim të tetorit që do të jetë e vlefshme për gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve.

Spanja do të kërkojë të lërë pas humbjen e pësuar në një tjetër gjysmëfinale, atë të Europianit 2020, gjatë së cilës axurrët dolën fitues pas gjuajtjes së 11- metërshave.

Shpalljen e listës së lojtarëve të thirrur për të përfaqësuar iberikët, trajneri e shoqëroi me një deklaratë ku foli për kundërshtarët, pritshmëritë dhe të ardhmen.

Italia – “Axurrët janë në krye tashmë, kanë fituar Europianin me meritë dhe kanë një rekord pathyeshmërie, por ashtu si thotë edhe psikologu ynë e kanë shumë afër humbjen… .

Mund t’i kishim mundur edhe gjatë verës, por nuk u treguam të zotët. Ata luajnë në nivele të larta dhe kanë thuajse të njëjtën filozofi loje me tonën, ndaj shpresoj që të prodhojmë një ndeshje spektakolare”.

BOTËRORI – “Unë dua të fitoj çdo ndeshje, jo vetëm këtë me Italinë. Të njëjtën grintë e dëshirë e shikoj edhe te lojtarët e mi. Jemi shumë të motivuar duke qenë se afron edhe “Botërori 2022″. Qëllimi ynë normalisht që është maja, duam të shpallemi kampionë.

Për sa i përket hipotezës së Botërorit në çdo dy vite, më emocionon shumë, por nuk është kaq e thjeshtë.

Duhet të unifikojmë kalendarin sepse nëse nuk e bëjmë ata që do e vuajnë do të jenë futbollistët. E kuptoj që për tifozët, për të rinjtë dhe për shumicën është një mundësi e mirë dhe më shumë spektakël, por duhet të kemi kujdes sepse bëhet fjalë për të ardhmen”.

BARCELONA – “I kam dërguar ftesë edhe Gavit, 17-vjeçarit të Barcelonës sepse e njoh prej shumë kohësh dhe kam shumë besim në aftësitë e tij. Normalisht që ka shumë për të përmirësuar, por deri më tani ka treguar një nivel të lartë dhe do të jetë në lartësinë e detyrës.

Pastaj e ardhmja e stolit të Barcelonës është diçka tjetër. Nuk besoj se do të më telefonojnë për të zëvendësuar Ku manin. Laporta nuk e ka numrin tim… . Unë kam rinovuar me kombëtaren dhe do të qëndroj këtu sepse jam njeri që e mbaj fjalën time”.

MANÇO THËRRET KAMPIONËT – Ndërkohë, mbrëmjen e vonë të ditës së djeshme, edhe trajneri i Italisë, Roberto Mançini, i cili do të provojë që të mposhtë sërish Spanjën, në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve, dje ka përpiluar listën e tij të 23 lojtarëve që do të kërkojnë të fitojnë edhe këtë turne.

Kreu i pankinës “Axurre”, ndryshe nga çfarë pritej, nuk ka dashur që të ftojë asnjë risi në komvëtare, por ka grumbulluar të gjithë grupin finalist dhe kampion të “Euro 2020”.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments