Të bësh analizën e pre tendentëve për titull është e vështirë. Edhe për gazetën. Po, po, sepse duhet patjetër të gjesh dikë të paanshëm dhe të baraslarguar nga palët.

Dhe meqë diskutimi së fundmi bëhet gjithnjë e më shpesh për Partizanin, Skënderbeun dhe Kukësin, atëherë mirë do të ishte që skanerin këtyre ekipeve t’ua bëjë dikush që nuk ka një histori të lidhur me këto klube.

Po kush më mirë se Astrit Hafizi do ta bënte një analizë për trion e klubeve që sot cilësohen favoritet e këtij sezoni?

Trajneri shkodran gjykon që skuadrat kanë pothuajse potencial të barabartë në organikë, por nuk harron të vendosë në dukje edhe diferencat e tyre.

“Për mua janë pothuajse të barabarta. Këto tre klube janë të ndryshëm në stil, në traditë dhe në koncept, por si potencial, nuk shoh ndonjë diferencë të madhe.

Madje edhe sa i përket faktit që janë ende të pakonsoliduara dhe shfaqin pasiguri në fushë, mua sërish më duken të përafërta”, thotë Hafizi për “Panorama Sport”.

PARTIZANI I FORTË

“Ka avantazhin që ka marrë rezultatet e duhura në javët e fundit. Kjo është shumë domethënëse për çdo skuadër që ende nuk është konsoliduar.

E them këtë, sepse Partizani ka bërë ndryshime të rëndësishme. Tregoi forcë karakteri kur pas një humbjeje në Korçë, ka mbetur i pamposhtur dhe ka fituar ndeshje delikate si ajo me Tiranën apo me Kukësin.

Natyrisht, e kam parë që në momente të caktuara gjatë ndeshjeve ka vështirësi, por kjo është normale, sepse e përsëris, do t’u duhet akoma kohë që të harmonizohen si duhet.