Vllaznia do të luajë sot ndeshjen e fundit të këtij kampionati ndaj Kastriotit në Kamzë në orën 17:00. Skuadra do të ketë vetëm një objektiv në këtë takim, fitimin e kësaj përballjeje duke qenë se është ende në garë për një vend në Europë.

Kuqeblutë duken të motivuar për ta fituar këtë ndeshje dhe për të shpresuar deri në fund për arritjen e këtij objektivi. Një gjë të tillë e ka theksuar edhe trajneri Mirel Josa në konferencën e shtypit në prag të kësaj ndeshjeje.

“Çdo skuadër dëshiron ta fitojë ndeshjen, por ne kemi një motiv më shumë për ta fituar duke pasur parasysh faktin që është fundi i kampionatit dhe duam të arrijmë objektivat tanë. Në varësi edhe të ndeshjes së kaluar me Egnatian, do të shohim si do të jetë skuadra dhe më pas do të shkojmë për ta përmbyllur kampionatin me rezultatin e duhur.

Nuk kam frikë fare. Nuk e kemi aspak mendjen se çfarë do të bëjnë rivalët tanë. Nuk e kam mendjen te ndeshja e Tiranës, se e kam parasysh ndeshjen Tirana-Vllaznia. Nuk druhem se Tirana mund të tolerojë. Ne duhet që t’i kishim gjërat në dorën tonë që të mos “ftohemi”. Duhet të luftojmë fort me erën dhe jo vetëm atë që kemi përballë, sepse ndonjëherë më e keqe është “ftohja” pas shpine”- eshte shprehur Josa.