Kampionati shqiptar nis ndër të fundit në Europë. Duke u bazuar te anëtarët e UEFA-s, ku bëjnë pjesë 55 federata, Kategoria Superiore është një nga 6 kampionatet në total nuk kanë filluar aktivitetin.
Vende si Malta, San Marino, Gjibraltari, Andorra, Izraeli dhe Shqipëria janë të vetmet në këtë moment në Europë që nuk po zhvillojnë kampionatin. Superiorja do të startojë të shtunën e 26 gushtit me ndeshjen Egnatia-Skënderbeu në orën 17:00 në stadiumin e Rrogozhinës. Mirëpo, problematikat janë të mëdha. FSHF ende nuk ka njoftuar se cilës kompani ia ka shitur të drejtën televizive të transmetimit të Superiores, në një kohë që jemi vetëm tri ditë nga starti.
Ndërkohë, derbi Dinamo-Tirana, që duhet të ishte reklama më e mirë e kampionatit në nisjen e tij, do të luhet në stadiumin e Elbasanit, duke iu mohuar mundësinë tifozëve të dy skuadrave ta shohin këtë ndeshje në një nga stadiumet e kryeqytetit. Klubi blu ka arritur marrëveshje me stadiumin e Elbasanit, ndërsa aktualisht “Air Albania” është i mbyllur dhe nga ana tjetër “Selman Stërmasi” nuk preferohet për shkak të kushteve.
Ky kampionat nis edhe me problematikat e klubeve të organizuara me shumë vonesë si Erzeni dhe Kukësi. Që në start, për shkak të impenjimit të Partizanit në fazën “play off” të Ligës së Konferencës, është shtyrë ndeshja ndaj Teutës, por duke pasur edhe miratimin e durrsakëve.