Milani merr një lajm të mirë jo vetëm nga ndeshjet e kampionatit italian ku ka parë të vazhdojë arratinë në kryesim. Kuqezinjtë kanë mësuar se objektivi i tyre i merkatos për verën do të largohet nga skuadra e Liverpulit me parametër zero në fund të këtij sezoni.

Divok Origi, sulmuesi belg i të kuqve, ndiqet me interes nga Milani i cili e sheh si një futbollist me shumë eksperiencë që mund t’ia shtojë ekipit për edicionin e ardhshëm. “Football Insider” bën të ditur se Origi ka marrë vendimin e tij për të mos u ulur në tavolinën e bisedimeve me Liverpulin për një rinovim.

Ai i ka bërë të ditur klubit zyrtarisht se këtë radhë do të largohet me parametër zero në verë, për të vazhduar karrierën në një klub tjetër.

Ai është një rezervë luksi te Liverpuli, edhe pse ishte protagonisti i Ligës së Kampioneve dy vite më parë. Por tashmë ai kërkon një rol protagonisti kryesor e për këtë arsye, ka vendosur të largohet nga skuadra angleze me Milanin që e pret krahëhapur.