Nuk ka fund “tersi” në Korçë. Sikur të mos mjaftonin vetëm rezultatet negative dhe rreziku për të rënë nga Kategoria, tani te Skënderbeu nuk marrin dot as përgjigjet e analizave të dëmtimit.
Portieri Bekim Rexhepi ka bërë 3 ditë më parë rezonancën magnetike për të mësuar shkallën e dëmtimit që ka në gju, por dje nuk ka marrë dot përgjigje e saktë pasi në spitalin e Korçës është prishur kompjuteri që lexon përgjigjet e rezonancës magnetike.
Një gjë e tillë ka mbajtur “peng” portierin që vazhdon të mos stërvitet me skuadrën dhe në ditët në vijim pritet të udhëtojë drejt Maqedonisë për të bërë analiza më të detajuara. Rexhepi me shumë mundësi ka humbur sfidën me Tiranën dhe për momentin nuk dihet ende koha e rikuperimit.
Një mungesë e madhe për korçarët pasi Rexhepi është nga lojtarët kryesor të skuadrës dhe këto momente që rrezikojnë rënien nga Superliga, mungesa e tij pritet të ndihet jo pak./newsport/