Vllaznia paralajmëron largime në janar. Pritet që me hyrjen e 2014-ës të ndodhin lëvizje nga kontingjenti aktual ku, veç afrimeve, të ketë edhe firo. Një gjë të tillë e pranon edhe Samuel Nikaj gjatë fjalës së dhënë një ditë më parë. Numri dy i pankinës komenton ecurinë e skuadrës, duke filluar konkretisht me ndeshjen e fundit me Laçin. Tekniku është shprehur edhe për faktin se ky takim nuk do të kalojë pa një analizë të hollësishme me anë të DVDsë. “Kemi zhvilluar një lojë jo të mirë në këtë takim, por dua t’ju them se skuadra ka qenë jo vetëm nën presionin e dy takimeve decizive, por edhe të Kridens Metës. Arbitri në 8 minutat e para të lojës dha më shumë se 8 faulle kundër nesh. Kjo, pa asnjë mëdyshje, ndikoi në aspektin psikologjik. Më pas, kur u shënua goli i parë, ekipi nuk arriti të bënte asgjë dhe presioni bëri që rezultati të ishte i tillë. Ne do të analizojmë mirë këtë situatë dhe më pas do të shikojmë aty ku edhe kemi gabuar”, – ka thënë fillimisht Nikaj.
Situata – Për shkodranët ngjitja në vendin e tetë, me pikë të barabarta me ballshiotët e Bylisit, do të thotë largim nga zona e ftohtë. Për zv.trajnerin, renditja në këtë pozicion lë shumë vend për të dëshiruar, por ai mendon se skuadra ka punuar mirë në këtë periudhë. Ai ka pranuar faktin se një skuadër ka vend për të ndërhyrë. “Ne do të mblidhemi për një analizë të hollësishme, për sa u përket këtyre 16 javëve, me të gjithë drejtuesit pas dhjetorit. Gjatë saj do të shikohet më me hollësi edhe e ardhmja. Natyrisht që lojtarët, të cilët janë të pakënaqur me aktivizimin e tyre, por edhe për të tjerë, mund të lihen të lirë. Megjithatë, gjithçka do të sqarohet pas analizës. Sigurisht që në klubin tonë po mendohet edhe për afrime, por këto do të bëhen të ditura në momentin dhe në kohën e duhur. Ne kemi nevojë për përforcime në skuadër. Gjatë kësaj periudhe do të saktësohen edhe pozicionet që duhet ndërhyrë”, – vijon ai.
E ardhmja – Pas çdo rezultati negativ në Shkodër, nuk ka sesi të mos përflitet për lëvizje edhe në pankinë. Këto ditë ka qarkulluar emri i Armando Cungut, si personi që mund të zëvendësojë Agim Canaj. “Gjëja e parë që kemi mësuar në kursin e trajnerëve është se gjithmonë jemi me valixhe në dorë. Tekniku Canaj dhe ne si staf e kemi marrë Vllazninë në një situatë tejet të vështirë dhe mund t’ju them se kemi bërë më të mirën e mundshme. Me pak fat dhe me më shumë dashamirësi nga të tjerët ne do të kishim më shumë pikë. Kemi zhvilluar lojëra të mira dhe treguar vlera si skuadër. Unë e quaj shumë pozitiv edhe faktin se jemi akoma në lojë për kupën. Kualifikimi me një skuadër si Partizani nuk është për t’u anashkaluar. Deri tani, të paktën nga drejtuesit e klubit, nuk ka asnjë sinjal për një gjë të tillë. Ne kemi një mbështetje totale. Për të ardhmen asgjë nuk dihet”, – përfundoi numri dy i stolit.

Admir URUÇI