Vllaznia-Kukësi do jetë dueli që do mbyllë këtë vit futbollistik për secilën skuadër. Të dy skuadrat nga veriu i vendit do jenë nesër kundra njëra-tjetrës në “Loro Boriçi”. Një “derbi” ky nëqoftëse mund të cilësohet kështu mes dy ekipeve që kanë dhuruar emocione këtë sezon në Superligë.

Por ky nuk do jetë një duel mes dy skuadrave dhe lojtarëve që do hidhen në fushën e lojës. Ky do jetë edhe dueli i pankinave. Në krye të Vllaznisë prej 2 sezonesh është Thomas Brdariç. Trajneri gjerman që futi në “shinat” e duhura një ekip që vuante prej vitesh dhe që mahniti të gjithë me futbollin e tij në kampionatin tonë.

E po ashtu një tjetër trajner i huaj në krye të Kukësit. Italiani Diego Longo, një i panjohur për futbollin tonë, u vu në krye të verilindorëve në fillim të këtij sezoni. Edhe Kukësi pas një sezoni të shkuar, jo në nivelin e duhur, këtë edicion ka gjetur formën e duhur dhe po lufton për vendet e para të renditjes.

Të vetmit trajnerë të huaj në kampionatin tonë do mbyllin nesër vitin kundër njëri-tjetrit. Të dy me stile sulmuese, stile që iu a kanë imponuar edhe skuadrave që drejtojnë.

Tashmë pritet nesër të shihet se si do e interpretojnë sfidën kundër njëri-tjetrit, ku në duelin e parë Longo triumfonte kundër Brdariç në shifrat 2-0, ku Kukësi mposhte Vllazninë në ndeshjen aë zhvillohej në Rrogozhinë.
Endri ÇINARI