Vllaznia është rikthyer në rrugën e duhur për të luftuar për titullin kampion. Skuadra shkodrane ka marrë dy fitore ndaj Kastriotit dhe Laçit në dy ndeshjet e fundit, ndërsa tani do të ketë dy përballje të tjera tepër delikate.
Këtë javë, Vllaznia do luajë përballë Teutës në “Elbasan Arena”, ndërsa një javë më vonë do të përballen me Partizanin. Duke parë që përpara janë dy ndeshje tepër të vështira, drejtuesit e klubit kanë menduar të motivojnë akoma edhe më shumë lojtarët duke vendosur një premio të madhe.
“Shkodra sport” zbulon se në rast se do të fitojnë të dyja ndeshjet, lojtarët e Vllaznisë do të marrin 5000 euro premio. Një premio jo e vogël për lojtarët që tashmë do të kenë një motivim ekstra për të fituar sfidat ndaj Teutës dhe Partizanit.