Në Shkodër deri më tani ka qenë pothuajse vetëm kohë largimesh. Tre të fundit që janë zyrtarizuar nga klubi për ndërprerjen e bashkëpunimit janë mesfushorët Arsid Kruja, Kristijan Vulaj dhe Fjoart Jonuzi, me dy të fundit për të cilët “Shkodra Sport” e pati paralajmëruar edhe më herët që nuk do të ishin pjesë e shkodranëve.

Numri i largimeve ka shkuar në plot 13, duke bërë që kuqeblutë të jenë një nga ekipet që kanë realizuar “skarcime” në masë në mbylljen e këtij sezoni. Në fakt, pritej një revolucion në Shkodër, për shkak se ekipi rrezikoi madje edhe Europën, por ndoshta jo deri në këtë pikë, ku pothuajse i gjithë ekipi titullar i sezonit të shkuar është shkrirë.

Kështu, bëhet fjalë për një formacion të tërë, sepse pothuajse të gjithë titullarët e këtij edicioni janë larguar, duke “mbijetuar” vetëm pesë prej tyre. Pikërisht, mbrojtësit Juriç dhe Hakaj, mesfushorët kosovarë Boshnjaku dhe Mala, si edhe sulmuesi shkodran Bekim Balaj.

Megjithatë, bie në sy fakti që kryesisht janë larguar futbollistët që u ka mbaruar kontrata dhe asnjëra nga palët nuk ka dashur që të vazhdojë më bashkëpunimin, duke qenë të pakënaqura nga njëra-tjetra.
Maringlen ZHIVANI