Ecuria e mirë e Vllaznia U21 në këto javë të para të kampionatit nuk është rastësi, por ka ardhur nga puna e madhe e bërë çdo ditë në stërvitje nga stafi teknik dhe futbollistët. Vërtetë që me të po luajnë herëpashere edhe lojtarët e rinj të ekipit të parë, por baza e tij janë lojtarët 19-20 vjeçarë që janë të federuar me këtë ekip.

Dhe njëri që ka spikatur ndoshta mbi të gjithë deri më tani është mesfushori i qendrës Klaudio Leka. Lojtari që katër ditë më parë festoi 20 vjetorin e lindjes, është shndërruar në protagonist të këtij ekipi, me lojën që po zhvillon duke fituar vëmendjen e të gjithëve.

Leka është rritur tek ekipet e moshave të shoqatës “Labeat” me të cilët ka luajtur për dy vite me rradhë dhe në moshën 14 vjeçare ka kaluar tek Vllaznia, me të cilën luan edhe sot. I ka kaluar të gjithë grupmoshat, duke filluar me ato U15, U17 dhe U19 ndërkohë që sezonin e kaluar duke mos gjetur vend tek ekipi i parë, ka luajtur me Vllazninë B.

I pafjalë dhe shumë i disiplinuar, mesfushori ka vijuar të punojë fort në stërvitje çdo ditë dhe parametrat e tij do të rriteshin pa u ndalur. Përpos kësaj, trajneri Hasani i ka dhënë shumë besim dhe Klaudio po ia shpërblen.

Këtë sezon me ekipin Vllaznia U21 është shndërruar në liderin e mesfushës. Në disa ndeshje trajneri i ka besuar edhe shiritin e kapitenit sepse loja e këtij ekipi nis prej këmbëve të tij.

Ka vizion loje, i shpërndan mirë topat, por edhe i pëlqen t’i afrohet portës kundërshtare, madje edhe ta godasë atë teksa këtë sezon edhe ka shënuar gola, e po ashtu ka krijuar edhe jo pak raste të rrezikshme.

Në këto ndeshje, ai është ndjekur edhe nga stafi i ekipit të parë dhe nga drejtuesit e klubit të cilët vërejnë një rritje të parametrave të këtij lojtari dhe nuk përjashtohet mundësia që Klaudio Leka shumë shpejt të bashkohet në stërvitje me Vllazninë e madhe.

Ky lojtar është shembulli më i mirë i një lojtari që rritet e formohet profesionalisht vetëm falë punës sistematike dhe nëse vazhdon të punojë kështu, me siguri që ka për të arritur lart./SHKODRA-SPORT.COM/