Prej pak ditësh, tashmë Vllaznia është zyrtarisht me pushime, duke qenë se edhe gara në Kupën e Shqipërisë u kurorëzua me fitimin e saj. Në Shkodër kanë nisur të mendojnë për ndeshjet e Kupave të Europës dhe Superioren e ardhshme me kohë, teksa presidenti Alban Xhaferi po tenton dhe synon që të ndërtojë një ekip kompakt.
Nga porta në sulm, Vllaznia do të kërkojë të bëjë merkato dhe madje pritet që të studiohet tregu ballkanas, sidomos në Maqedoninë e Veriut, pasi futbollistët e kampionatit të shtetit fqinj nuk quhen si të huaj.
Shkodranët pritet që të jenë një nga skuadrat më aktive, teksa kanë nisur që të studiojnë futbollistë nga ekipe të ndryshme për t’i afruar në gjirin e tyre. Nga Vllaznia, është larguar zyrtarisht vetëm mesfushori Ardit Krymi, teksa në ditët në vijim pritet që të ketë edhe largime të tjera të futbollistëve vendas dhe të huaj.
Momentalisht, klubi është në periudhë “meditimi”, teksa parashikohet një verë e nxehtë për shkodranët, duke nisur nga ndeshjet e Kupave të Europës.
Xhaferi shquhet për surprizat në merkato, prandaj edhe në Shkodër janë në pritje për të “ndezur motorët” dhe të ndërtojnë skuadrën e Kupave të Europës fillimisht, për të qenë ndryshe, me ambicie madhore, ashtu siç edhe kanë premtuar drejtuesit e Vllaznisë.
Maringlen ZHIVANI