Victor Da Silva ishte padyshim afrimi më i rëndësishëm i verës për Partizanin. Braziliani vinte pas dy sezonesh shumë të mira te Vllaznia dhe u bë pjesë e të kuqve pas një historie të gjatë në verë me një mosmarrëveshje mes ish-trajnerit Dritan Mehmeti dhe drejtorit Elton Marini, të cilët kishin opinione të ndryshme në lidhje me transferimin e 28-vjeçarit.
Megjithatë, pas largimit të Mehmetit, Da Silva u bashkua me Partizanin, edhe pse ai kishte firmosur më parë në Qipro. Me të ardhur, ai e zuri shpejt vendin në formacion, madje duke u kthyer në futbollistin më të rëndësishëm të të kuqve, pasi realisht po spikat me golat dhe assistet e tij tek ky ekip.
Megjithatë, ajo që të bën përshtypje është fakti se si një futbollist i tillë u la i lirë nga drejtuesit e Vllaznisë në merkaton e verës dhe aq më tepër që të firmoste tek një rival direkt i ekipit kuqeblu në synimet dhe objektivat e këtij sezoni. Padyshim që, edhe vetë drejtuesit shkodranë duhet të jenë bërë “pishman” dhe penduar për një gjë të tillë, me Da Silvan që ka shënuar 13-gola dhe ka dhënë katër assist deri më tani në 25-ndeshje me Partizanin.
Në fakt, braziliani ishte padyshim një nga futbollistët më të mirë të Vllaznisë në dy sezonet kur ishte me ekipin shkodran, me fantazistin që dha një kontribut të madh. Edhe pse dëmtimet e penalizuan për të qenë në fushë në të gjitha takimet, sa herë ishte gati, ai bënte diferencën në fushën e blertë.
Me pak fjalë, 28-vjeçari ishte “goditje” e zgjuar e drejtuesve të Partizanit në merkaton e verës së vitit të shkuar, me Victor Da Silvën që padyshim rezultoi pjesë e rëndësishme për manovrën e trajnerit Giovanni Colella në këtë edicion futbollistik për të shkuar drejt titullit kampion.
Maringlen ZHIVANI