Tefik Osmani ka qëndruar një vit e gjysmë tek Vllaznia dhe ka qenë shumë pranë daljes kampion me të. Megjithatë, ai krenohet me atë që ka arritur në Shkodër dhe, mbi të gjitha, me faktin se gjatë asaj periudhe u shitën disa lojtarë të rinj të promovuar nga vetë klubi.
Ish-drejtori i Vllaznisë, që tashmë mban rolin e një zyrtari në FSHF, është i mendimit — madje shumë i sigurt — se skuadra e sivjetme është më e shtrenjtë se ajo e sezonit të kaluar. Ai e thekson këtë me garanci të plotë, duke u bazuar në faktin se ekipi është ndërtuar me qëllimin e vetëm për të dalë kampion.
“Që në ditën e parë kur kam shkuar tek Vllaznia, e kam shkruar në dhomat e zhveshjes si rregullin nr. 1: që nuk duhet të na hyjë vetja në qejf. Mendoj se tani, si drejtori Sinani ashtu edhe trajneri Martini, janë armë të forta për këtë skuadër dhe nuk i lënë në asnjë moment lojtarët që t’u hyjë vetja në qejf.
Përveç kësaj, nga grupi aktual kanë mbajtur boshtin e skuadrës, kanë afruar lojtarë që e njohin kampionatin shqiptar dhe kanë marrë gjithashtu futbollistë me cilësi, si Kastrati dhe Murataj.
Çfarë ndryshon nga Vllaznia e vjetshme? Sivjet janë më të etur, sepse kemi humbur dy finale — të dyja me Egnatian — dhe tashmë kanë edhe më shumë dëshirë. Nëse i shikon me vëmendje, janë e vetmja skuadër që ka një grintë të veçantë, të cilën ekipet e tjera nuk e kanë. Sivjet e konsiderojnë këtë si mundësinë e fundit për të fituar titullin.
Unë mendoj se presidenti Xhaferi ka shpenzuar më shumë këtë vit. Jam shumë i bindur për këtë dhe, nëse vërtetoni që është i njëjti buxhet si vjet, atëherë mua nuk do më shihni më të merrem me futboll. Nuk ka asnjë shans të jetë i njëjti buxhet; sivjet është shpenzuar më shumë, sepse objektivi i vetëm është titulli kampion. Po ju marr vetëm katër lojtarë: Balaj, Kastrati, Kallaku dhe Mala, të cilët me pagat e tyre shkojnë sa gjysma e një ekipi tjetër,” – është shprehur Osmani.(www.shkodrasport.com)







