I ftuar në emisionin “Skaner”, Drejtori i Departamentit të Skautizmit në FSHF, Tefik Osmani, ka analizuar fazën e parë të kampionatit në krahasim me sezonin e kaluar. Ish-drejtori sportiv i Tiranës dhe Vllaznisë është ndalur te forma e skuadrave kryesore, duke theksuar se Partizani vazhdon të shfaqë luhatje, ndërsa Vllaznia, Dinamo dhe Egnatia meritojnë vlerësim për paraqitjet e tyre.
“Partizani i ka pasur këto luhatje që nga viti i kaluar, me mendimin se lojtarët e larguar do të zëvendësoheshin me sukses. Ndërkohë, meritë të veçantë ka Vllaznia, që ndodhet në vend të parë dhe ka 5 pikë më shumë diferencë krahasuar me një vit më parë. Dinamo dhe Egnatia, po ashtu, meritojnë vlerësim — kanë larguar lojtarë me peshë në fund të kampionatit dhe nuk është aspak e lehtë t’i zëvendësosh,” – u shpreh Osmani.
Sa i përket Vllaznisë, Osmani vlerësoi qasjen e skuadrës në këtë fillimsezoni, por nuk i kurseu vërejtjet për mungesën e mbylljes së ndeshjeve në kohë.
“Me përjashtim të ndeshjes në Vlorë, Vllaznia është futur me dëshirë për të fituar çdo takim. Ajo që stonon është fakti se ka pasur ndeshje që duhet t’i kishte mbyllur më shpejt. Për shembull, ndaj Teutës — pas golit të parë, pritej moment pas momenti goli i dytë. Edhe sezonin e kaluar i ka pasur këto situata. Vllaznia nuk duhet të mendojë se një gol mjafton për të fituar ndeshjen,” – tha ai.
Në përfundim, Osmani nënvizoi se skuadra shkodrane duhet të ruajë të njëjtin ritëm si në ndeshjet në “Loro Boriçi”, ashtu edhe në transfertë:
“Nëse bëjmë krahasimin me vitin e kaluar, luhatjet ndaj Teutës apo në Vlorë janë të njëjta. Vllaznia duhet t’i trajtojë të gjitha ndeshjet me të njëjtin përkushtim, pavarësisht fushës ku luan. Këtë konkluzion e kam nxjerrë duke analizuar ndeshjet në shtëpi dhe ato jashtë fushe,” – përfundoi Tefik Osmani.







