Tashmë, ashtu si gjithmonë, në pritje mbeten konfirmimet e radhës në merkato. Me elementë që do të përbëjnë boshtin kryesor ashtu si sezonin e fundit ku u fituan plot dy trofe. Në ndryshim nga vitet e tjera parësore është afrimi i lojtarëve me moshë të re, të cilët bashkë me disa nga titullarët, të cilët qëndruan, të gërshetojnë mjaft mirë lojën midis reparteve. Bisedimet janë të shumta e lista është e gjatë, por akoma nuk ka emra konkretë.
Klubi konfirmon se nuk po nxitohen po koha në dispozicion u lejon të kryejnë goditje surprizuese. “Presim vetëm përfundimet e bisedimeve me shumë emra të spikatur. Gjithçka do të bëhet zyrtare shumë shpejt. Objektiv është plotësimi i reparteve me lojtarë që kanë cilësi.
Ngjitja në Superiore ka të tjera kërkesa e nuk do ndalemi që t’i japim Egnatias pamjen e duhur si skuadër e me infrastrukturën model nga ana tjetër”, theksohet nga burime brenda klubit. Është menduar që shtrirja e merkatos të jetë në tregun shqiptar dhe të huaj.
Nga Superiorja ka plot lojtarë që kanë përfunduar kontratat me klubet ku kanë qenë pjesë e mund t’u bashkëngjiten rrogozhinasve nëse arrihet një dakordësi. Përflitet shumë se duke parë kushtet e duhura stërvitore si dhe financat e garantuara pavarësisht se u ngjit pas 16 vitesh në elitë, Egnatia është zgjedhje perfekte. Po ashtu dhe afërsia gjeografike me disa qytete e me kryeqytetin i mundëson presidentit e drejtuesve të bëjnë oferta të shumta.