Te Elbasani kanë nisur të qarkullojnë emrat e parë të merkatos. Verdheblutë po analizojnë me kujdes nevojat e skuadrës dhe prioritet kryesor mbetet përforcimi i repartit ofensiv, me synimin për të rritur efikasitetin dhe për të ruajtur pozicionin e dytë në renditje.
Statistikat e konfirmojnë këtë nevojë, pasi Elbasani është skuadra me më pak gola të shënuar mes katër ekipeve kryesuese. Pavarësisht rasteve të krijuara, mungesa e konkretizimit mbetet problem në ndeshjet vendimtare, ndaj drejtuesit po kërkojnë një sulmues me eksperiencë.
Në listën e dëshirave kryeson emri i Armando Sadikut, i cili aktualisht luan në Zvicër te Bellinzona. Kontakti i vazhdueshëm mes palëve mban gjallë mundësinë e një rikthimi në Shqipëri, edhe pse gjithçka mbetet në fazë vlerësimi dhe negociatash. Një lëvizje e tillë do të ishte sinjal i qartë për ambiciet e Elbasanit në këtë sezon.


