Suksesi i fundit i çiklistëve të ekipit të Vllaznisë të cilët dominuan në garat e kampionatit kombëtar që u zhvillua pak ditë më parë në Tiranë, natyrisht që e ka kënaqur trajnerin Leonat Kola. Ky i fundit ndjen kënaqësinë e suksesit të sportistëve që drejton të cilët kanë dominuar si në garën e kronometrit individual ashtu edhe atë të rezistencës, gara në të cilat janë ngjitur në podium Bruno Kola, Gjergj Zefi, Astrit Kronaj dhe Samuen Bajrami.

Por jo vetëm kaq. Edhe paraqitja e katër sportistëve të tjerë që kanë marrë pjesë në këto gara, ka qenë e pëlqyeshme. “Besoj se jemi në rrugën e duhur për rikthimin e çiklizmit shkodran sërish në nivele të larta. E kemi nisur këtë punë bashkë me kolegun tim, trajnerin e mëparshëm Sabetin Hoxha katër vite më parë dhe kjo punë po vazhdon tashmë në nivele shumë të kënaqshme. Fakti që deri në kategorinë e juniorëve dominojmë në çdo garë që zhvillohet, tregon se suksesi i Vllaznisë është i pashmangshëm. Megjithatë duhet ta vazhdojmë këtë punë sepse kemi ende shumë për të bërë. Të gjithë presin rikthimin e periudhës së artë të çiklizmit shkodran të vëllezërve Tafili, Sykës etj, por kuptohet se është e vështirë të rikthehet ajo punë por besoj se brenda 2-3 vitesh këta sportistë kanë për të dominuar edhe me të rriturit dhe do jenë ata kampionët e ardhshëm të vendit. Pjesë e ekipit janë disa djem të talentuar 15-17 vjeçarë që premtojnë shumë për të ardhmen dhe pikërisht ata më bëjnë të besoj se suksesi do të vijë”- ka thënë trajneri Kola në një prononcim të tij për gazetën “SHKODRA SPORT”.

© shkodrasport.com