Atletika shkodrane dhuron një tjetër rezultat të lartë në arenën ndërkombëtare. Këtë herë nuk është kampioni i Europës Izmir Smajlaj që ka shkëlqyer. Rradha ka qenë e një tjetër kërcyesi, pikërisht e Ergys Gjeçajt. Atleti i Vllaznisë është shpallur nënkampion Ballkani për të rinjtë. Ai ka kërcyer 7.54 metra dhe ka zënë vendin e dytë, ndërsa presidenti Gjergji Ruli e ka vlerësuar si një talent që po vjen.

Ergys Gjeçaj është nënkampion Ballkani për të rinj në Pitesht të Rumanisë, ndërsa është i vetmi që ka mbajtur lart nderin e Shqipërisë në këtë aktivitet për moshat deri në 20 vjeç. 19-vjeçari, përtej faktit se ka bërë dy faulle, ka mundur që të kërcejë 7.24 metra, 7.32 metra, 7.54 metra, me të cilin do të fiksonte dhe vendin e dytë, si dhe 6.85 metra. Në total ka qenë vetëm 8 centimetra më pak se sa greku Matzurugiani, që në fakt medaljen e artë e ka marrë vetëm në kërcimin e fundit. Përtej gjithçkaje, Gjeçaj është një talent që po vjen dhe ky vend i dytë nuk është rastësi për Gjergji Rulin.Në këtë mënyrë, Shkodra nxjerr një tjetër sportist që po na dhuron medalje në arenën ndërkombëtare dhe Gjeçaj me shumë siguri ka ende për të dhënë.

© shkodrasport.com