Prej më tepër se një muaji, ekipet e basketbollit të SK Vllaznia, nuk lejohen të stërviten në ambjentet e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” për shkak të urdhërit të dhënë nga drejtori i klubit Mark Kroqi. Arsyeja siç është bërë e ditur ka qenë statusi me të aktualisht funksionojnë këto ekipe që janë pjesë e shoqatës së basketbollit Vllaznia.

Auditi i zhvilluar në këtë klub e ka quajtur shkelje një mënyrë të tillë funksionimi dhe për këtë arsye, ekipet e basketbollit jo vetëm që janë urdhëruar të mos stërviten më në pallatin e sportit por as edhe të përdorin emrin e Vllaznisë. Që prej atij momenti ka kaluar një muaj dhe në fakt disa prej ekipeve kanë gjetur “strehë” tjetër. Dikush në ndonjë palestër shkolle, dikush ka qëndruar edhe pa stërvitje gjatë kësaj periudhe por ajo çfarë nuk dihet është se sa do të zgjasë kjo gjë. Trajnerët e ekipeve janë duke u interesuar në Bashki por edhe në klub për t’i gjetur ndonjë zgjidhje këtij problemi por deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar për mirë.

© shkodrasport.com