Dilemat për të ardhmen e Vllaznisë dhe mosnisja ende e punës së kësaj skuadre, duket se e kanë vënë në dyshim edhe vazhdimin e mëtejshëm të Armando Cungut në pankinën e saj. Ky I fundit, të paktën siç raportohet në media, po studion ofertat e ardhura në adresë të tij. Partizani ende nuk e ka vendosur se kush do të jetë trajneri I tij për sezonin e ri dhe ndonëse po flitet për serbin Milenkoviç që drejtoi Luftëtarin, si kandidaturë të mundshme ka edhe atë të trajnerit shkodran.
Por të gjitha gjasat janë që serbi të shkojë tek të kuqtë ndërsa Cungu të shkojë në Gjirokastër. Raportet shumë të mira që ai ka me presidentin Tavo, kanë bërë që ky I fundit të mendojë afrimin e këtij trajneri në krye të skuadrës. Një ofertë të tillë ai I pat bërë 44 vjeçarit edhe verën e vitit të kaluar por atëherë tekniku kuqeblu preferoi të vazhdonte projektin e nisur tek Vllaznia. Megjithatë peripecitë e shfaqura sërish së fundmi, kanë bërë që vetë tekniku të mendojë largimin nga Shkodra. Dhe padiskutim që nëse largohet, këto ndoshta do ta bënte vetëm për Luftëtarin, nisur nga kujtimet e shkëlqyera që ai ka nga ky qytet ku ka luajtur edhe futboll gjatë karrierës së tij. Por gjithsesi duhet pritur edhe pak ditë. Trajneri aktual I Vllaznisë është nën kontratë me klubin shkodran edhe për sezonin që vjen dhe drejtuesit e tij I kanë dhënë votëbesimin për të vazhduar punën por vetë Cungu pret që të marrë garancinë nga kryebashkiakja Ademi për vazhdimin e punës. Garanci që ka të bëjë me ndërtimin e një skuadre dinjitoze sepse nëse kjo nuk bëhet, atëherë ai do të largohet. Kjo do t’I shtonte edhe më shumë problemet e këtij ekipi që ende nuk ka nisur përgatitjet për sezonin e ri.
© shkodrasport.com