Opinion nga Apollon HAXHI

Tashmë kur përgatitjet dimërore në pritje të rifillimit të sezonit futbollistik janë në përfundim për të gjitha ekipet shqiptare, në lidhje me skuadrën tonë- Vllazninë dhe perspektivën e saj, desha të jap disa mendime sipas gjykimit tim. Së pari, gjendja e ekipit pas përfundimit të mesit të sezonit aktual njihet nga të gjithë dhe luhatjet e vazhdueshme si në paraqitje ashtu edhe në rezultate kanë shkaqet e tyre. Gjë e cila tashmë është diskutuar gjerësisht nga opinioni sportiv shkodran. Në krahasim me sezonin e kaluar, ekipi në kuptimin organizativ ka një status tjetër juridik- SH.A me aksione 100% nga Bashkia Shkodër. Në kuptimin teknik ka një trajnim dhe menaxhim nga një staf tjetër trajningu dhe në kuptimin financiar një administrim me financa publike. Në analizë të këtyre faktorëve të rinj theksoj- status i ri juridik Shoqëri Aksionere është një organizim i cili në kushtet e një ekonomie të mirëfilltë  tregu ka varësi të madhe nga krijimi dhe funksionimi i bursës. Vetë koncepti i aksioneve të cilat kuotohen në bursë, tregon qartë për mbijetesën tregtare nga vlerësimi apo zhvlerësimi i tyre. Kuptohet kur një ekip merr titullin kampion, aksionet e tij vlerësohen duke rritur vlerën financiare të klubit. Në Shqipëri nuk funksionon bursa e për rrjedhojë mendoj se krijimi i Sh.a-së është i parakohshëm sepse mundësia e falimentit të kësaj shoqërie sipas ligjeve të tregut është gjithnjë prezent.Ardhja në krye të ekipit të një stafi të ri teknik mendoj se profesionalisht është për t’u përkrahur aq më tepër kur ish- kapiteni i kombëtares shqiptare, shkodrani Rudi Vata mendon të sjellë një frymë tjetër  si në drejtim ashtu edhe në menaxhim. Nga ana tjetër, duhet pranuar se fryma e sjellë nga Vata në ekip nuk është thithur nga një pjesë e tij duke prishur ndoshta harmoninë në grup. Sidoqoftë me sa kuptohet strategjia e klubit synon perspektiven afatgjate dhe jo atë afatshkurtër. Në këtë kontekst, ndoshta pavarsisht se çfarë paraqitje do të japë ekipi në gjysmën tjetër të sezonit, e rëndësishme është krijimi i një grupi me mendësi profesioniste i aftë për të konkuruar për titull sezonin e ardhshëm. Personalisht mendoj se largimet dhe afrimet e shumta këtë periudhë nuk i kanë shërbyer ekipit për këtë periudhë të sezonit. Në futbollin bashkëkohor gjithnjë e më shumë po dominon grupi mbi individualitetet dhe në këtë kuadër, fryma e grupit do të ishte ajo që do t’i shërbente më shumë ekipit. Në lidhje me anën financiare, aksionet 100% që zotërohen nga Bashkia Shkodër përkthehen në financa publike, gjë e cila mendoj se nuk është në interes të klubit, aq më tepër kur administrimi i tyre kalon nëpër shumë hallka që nga Këshilli Bashkiak e deri tek zyrat e financave të bashkisë. Mendoj se klubi duhet të ketë kapitalet e tij jo vetëm në letër por fizikisht në bankë. Sidoqoftë, në rast afrimi të ndonjë blerësi të mundshëm të një pjese të aksioneve, atëherë kjo do të krijonte një dinamikë të re klubit, pasi financimet private do të shërbenin si një rregullator i pagesave të Bashkisë.Përfundimisht duke patur parasysh ecurinë pozitive të pjesmarrjes në Kupat e Europës të ekipit në vitet e fundit si dhe kërkesat në rritje të sportdashësit shkodran, mendoj se tradita dhe dëshira janë një inkurajim për KF Vllazninë në perspektivë.