Premtimet e presidentit Xhaferi po bëhen realitet dhe tek Vllaznia pasditen e djeshme kanë mbërritur dy basketbollistë të tjerë amerikanë. Ato kanë zhvilluar edhe seancën e parë me ekipin ditën e sotme dhe janë vënë menjëherë nën vëzhgimin e trajnerit Plantak dhe e drejtorit Halili.

Njëri nga lojtarët e ardhur është Javis Howard, I gjatë 2.03 metra dhe luan në pozicionin qendër. Edhe lojtari tjetër duket me përvojë. Ai quhet Christian Bradford, i gjate 1.85 m. Të dy këta basketbollistë të paktën nga përshtypjet e para që kanë lënë, duken të një niveli më të lartë se dy amerikanët e tjerë që patën ardhur më parë tek Vllaznia por që nuk bindën aq sa duhet dhe u larguan andej nga kishin ardhur.

Drejtuesit e Vllaznisë bëjnë të ditur se në ditët e ardhshme me ekipin do të bashkohen edhe lojtarë të tjerë, të huaj por edhe vendas. Objektivi I tyre është padyshim plotësimi I organikës së ekipit me lojtarët e duhur në mënyrë që me to pastaj të synojë qëndrimin pikësëpari të qëndrimit në kategori dhe më pas, të shohë për më shumë.

Gara duket shumë e vështirë sepse rivalët e ekipit shkodran, që janë Kamza dhe Tirana, kanë më shumë pikë në renditje dhe përpos kësaj, kanë bërë edhe ato përforcime kohët e fundit. Megjithatë presidenti Xhaferi nuk ka ndër mend të heqë dorë lehtë nga qëllimi që I ka vënë vetes.

Largimet e disa titullarëve në fillim të këtij sezoni apo dhe dëmtimi I Ndojës, kanë reduktuar ndjeshëm numrin e lojtarëve në dispozicion të stafit teknik. Kjo e bëri të domosdoshme ndërhyrjen në merkato dhe nga tre amerikanët që erdhën në fillim, vetëm Malik Karter ka qëndruar.

Tashmë atij I janë bashkuar edhe dy të tjerë por sërish nuk mjaftojnë. Prandaj në ditët në vijim priten edhe të tjera surpriza nga presidenti Xhaferi dhe stafi i tij.
© shkodrasport.com