Vllaznia arriti të fitonte dhe përmbyste rezultatin e ndeshjes së parë kundër Labërisë në kupën e Shqipërisë. Kuqeblutë fituan dje në shifrat 4-0 dhe tani në turin pasardhës do kenë përballë Pogradecin. Por, përveç fitores, “bujë” bëri edhe polemika në minutat e fundit mes Uheid Hoxhes dhe Mehdi Çobes.

Të dy futbollsitët e rinj të Vllaznisë patën një debat mes tyre se kush do godiste penalltinë në minutën e fundit të ndeshjes. Polemikë që u duk se u zgjat pak më shumë se duhet pasi dyshja nuk kishte ndërmend që t’i hapte rrugën njëri-tjerit. Të dy po këmbëngulnin për gjuajtjen që pas pak minutash u zgjidh.

Do ishte trajneri Brdaric që me anë të Gurishtes, kapitenit të skuadrës vendosi që ti dorëzojë topin Hoxhes, i cili më pas gaboi. Skena të tilla nuk janë të rralla në botën e futbollit.

Ku jo më larg se vitin e kaluar ishte një tjetër lojtar i Vllaznisë në atë kohë, Demir Imeri, i cili vuri veton për të goditur penalltinë kundër Kukësit. Ku edhe ai do e humbiste.

Në situata të tilla duhet të jetë e qartë se kush do jetë goditësi i penalltisë, apo qoftë edhe një faulli të thjeshtë. Ndoshta ndërhyrja e trajnerit apo edhe stafit teknik duhet të jetë më e shpejtë që në fushën e lojës të mos krijohen polemika dhe skena mes lojtarëve të ekipit.
Endri ÇINARI