Gjashtë vite më parë, Vllaznia e volejbollit të meshkujve arriti të fitojë të parin titull kampion kombëtar në historinë e volejbollit të SK Vllaznia. Ky sukses i arritur me fitimin e të parit dhe të vetmit titull kampion për kuqeblutë në historinë e volejbollit shkodran padyshim që ngjall nostalgji për protagonistët e asaj periudhe dhe jo vetëm.

Nikolin Qafarena, zv/kapiteni i atëhershëm dhe kapiteni i sotshëm i Vllaznisë e kujton atë vit si një sezon sportiv shumë të suksesshëm për skuadrën kuqeblu, e shoqëruar me një tifozëri shumë entuziaste që e mbështeti skuadrën në të gjitha ndeshjet, si në Shkodër ashtu edhe jashtë saj.

Në një intervistë për “Shkodra Sport, Qafarena u shpreh se titulli para gjashtë vitesh do të mbetet një kujtim shumë interesant në të gjithë jetën e tij, ndërsa theksoi se mungesa e një buxheti të mjaftueshëm ka bërë që më pas të mos ndërtohet një ekip pretendent serioz për trofe. Më poshtë, keni mundësi të lexoni intervistën e tij dhënë për gazetën tonë gazetarit Maringlen Zhivani.


-Qafarena, gjashtë vite më parë, Vllaznia e volejbollit të meshkujve shpallej kampione e Shqipërisë, besoj nostalgji dhe mjaft kujtime për ju apo jo?

Titulli kampion i Shqipërisë me Vllazninë para gjashtë vitesh është vërtetë një kujtim shumë i bukur për mua si volejbollist i kësaj skuadre. Titull, i cili erdhi pas një pune shumë-vjecare me shumë sakrifica i atij ekipi bashkë me stafin drejtues, ku të gjithë bashkë arritëm të shkruajmë emrin e Vllaznisë në historinë e titujve kampion të volejbollit shqiptar. Ai titull do të mbesë gjatë në kujtesën time.


-Megjithatë, cfarë ka ndodhur që në sezonet e fundit Vllaznia në volejboll për meshkuj nuk po arrin të sjellë qoftë edhe një trofe në Shkodër?

Vllaznia edhe pas fitimit të titullit kampion, sezonet më mbrapa ka qenë vazhdimisht pretendente për trofe, të cilët nuk i kanë munguar, p.sh Kupa e Federatës. Duhet të kujtojmë edhe Vllazninë e 2019, ku ishim skuadër shumë e fortë që arritëm deri në finale. Megjithatë, mungesa e trofeve vitet e fundit te Vllaznia e volejbollit të meshkujve vjen nga faktorë, të cilët janë largimi i volejbollistëve vit pas viti, pamundësi e afrimit të volejbollistëve cilësorë, por edhe të tjera. Besoj se të gjitha këto vijnë ndoshta nga mungesa e një buxheti të mjaftueshëm për të ndërtuar një ekip pretendent serioz për trofe.


-Cila ka qenë e veçanta e atij viti që u shpallët kampionë?

Të vecanta kishte disa, por mund të them e vecantë ishte sepse ishim dy pjesëtarë familje volejbollistë të formacionit të Vllaznisë. Pikërisht, unë dhe Antoni, vëllai im, i cili akoma nuk kishte mbushur 18-vjec. E vecantë tjetër ishte sepse ishim një grup volejbollistësh që kishim sakrifikuar shumë e shumë vite bashkë dhe në fund ia arritëm qëllimit si brez volejbollistësh.


-Qafarena, në karrierën tuaj sportive si një volejbollist i Vllaznisë keni provuar shumë emocione, por besoj ky është trofeu më i vecantë, sepse është trofeu i parë i Vllaznisë në vite apo jo?

Është e vërtetë që kam provuar shumë emocione gjatë karrierës sportive si volejbollist, por dihet që titulli kampion me Vllazninë është i vecantë, sepse ishte dicka që nuk e kishte provuar asnjë brez volejbollistësh shkodranë. Edhe kjo e bën të vecantë, sepse ishte brezi jonë si ekip ai që shkruajti historinë e volejbollit të Vllaznisë.


-E fundit për ta mbyllur Qafarena, tashmë si e shikoni të ardhmen e sportit të volejbollit në Shkodër?

E ardhmja e volejbollit në Shkodër shpresojmë shumë të jetë e mire, në mënyrë që Vllaznia ta ketë emrin aty ku e meriton. Këtë t’ia lëmë kohës.
Maringlen ZHIVANI