Manchester United ishte në një seri të mirë prej katër fitoreve radhazi në Ligën Premier, por janë mposhtur nga Fulham në Old Traford.

Djajtë e Kuq pësuan një humbje dëshpëruese para adhuruesve të vet me rezultat 1-2, humbje që mund t’i kushtojë shumë për një vend në garat evropiane.

Aktualisht United ndodhet në pozitën e gjashtë në tabelë me 44 pikë, tetë më pak se Aston Villa në vendin e katërt.

Gjithsesi trajneri i Djajve të Kuq, Erik Ten Hag vazhdon të shpresojë se mund të marrin pozitën e katërt, përkundër se ka mbetur i zhgënjyer me humbjen nga Fulham.

“Jam vërtet i mërzitur për këtë rezultat, duhej të bënim më mirë, por ky është futbolli. Ne nuk e kishim organikën e plotë, vuajtëm shumë mungesa dhe mendoj se këto bënë diferencën. Jam shumë i bindur se kur organika të jetë e plotë ne do të jemi një skuadër shumë e fortë, pra e ardhmja është premtuese”.

“Liga e Kampionëve? Ka ende javë përpara, na presin ndeshje të rëndësishme dhe duhet të fokusohemi për të bërë më mirë dhe për të marrë pikët”, deklaroi Ten Hag.

Në xhiron e ardhshme United e pret një udhëtim shumë i vështirë, pasi luan në udhëtim te Manchester City. /Telegrafi/