Të mos luhet Kupa e Shqiëprisë për të mbyllur Kategorinë Superiore në kohë. Ky është një nga variantet që është duke u diskutuar realisht për të bërë të mundur mbylljen e këtij edicioni kurdo që të jetë i mundur rifillimi i tij. UEFA kërkon që kampionatet të kenë prioritet, duke sakrifikuar turnetë dytësorë, ndërsa ka garantuar se një gjë e tillë nuk do të ndikojë në numrin e skuadrave pjesëmarrëse në aktivitete ndërkombëtare.

Në diskutimin që u zhvillua gjatë ditës së mërkurë mes UEFA-s dhe sekretarëve të federatave europiane, është bërë e qaratë se të gjithë duhet të provojnë në çdo mënyrë të mbyllin kampionatet, pasi përndryshe do të kishin probleme në aspektin ligjor me klubet që kanë objektiva të ndryshëm.

Duke parë se rifillimi parashikohet të shtyhet në kohë për fundin e majit apo filimin e qershorit, UEFA ka propozuar që të gjithë vendet anëtare të heqin dorë nga Kupa, e cila në vende të ndryshme është në fazat e fundit, por ka edhe shtete si Shqipëria ku çerkefinalet nuk kanë filluar ende.

Sipas UEFA-s, eliminimi i Kuëps do t’i jepte mundësi klubeve që të kishin më shumë frymëmarrje për të administruar kalendarin dhe çuar deri në fund kampionatin.

Ndërkohë, të gjitha vendet do të ruanin të njëjtin numër skuadrash në aktivitete ndërkombëtare, por me ndryshimin që pjesëmarrësi që garantonte Kupa, do të shtohej nga kampionati.

Me pak fjalë, nëse FSHF do të anulonte Kupën e Shqipërisë sipas sugjerimit të UEFA-s, vendi i katërt në Superiore do të shkonte në Ligën e Europës. /vipsport/