Merkato duket se po ec me ritme shumë të larta në kampionatin tonë dhe një nga skuadrat protagonist është edhe Vllaznia. Tek shkodranët përveç afrimeve që duket se do zyrtarizohen shumë shpejt, priten edhe largime. Duke bërë që skuadra të riformatohet për sezonin e ri në Superiore dhe të ketë të tjerë protagonistë.

Kaina Nunes është largimi i parë zyrtar nga kuqeblutë këtë sezon, ku shtatlarti i është bashkuar Tiranës e ndërsa rrugën e tij duket se do ndjekin edhe Latifi e Gurishta. Të dy futbollistët e sipërpërmendur janë shumë pranë bardhebluve, duke bërë që Vllaznia të humbasë elementë të rëndësishëm.

Por një element që duket në fokusin e ekipeve të kryeqytetit dhe konkretisht Partizanit është edhe Geralb Smajli. Burime të afërta tek klubi i sapo shpallur kampion, tregojnë për ‘Shkodra Sport’ për interesimin e Partizanit ndaj Smajlit.

Mbrojtësi i djathtë që ka qenë një zbulim këtë sezon ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të klubit të kuq. ‘Demat’ të cilët tentuan edhe për Gurishten, duken tashmë të fokusuar tek një tjetër shkodran.

Patjetër që Vllaznia duhet të marrë masat që futbollistët më të spikatur të ekipit të mos largohen. E për më tepër drejt kundërshtarëve direktë siç janë Partizani dhe Tirana. Ku ndër vite skuadrat e kryeqytetit kanë ditur të marrin elementët më të spikatur nga Shkodra për ti bërë pjesë të gjirit të tyre.
Endri ÇINARI