Kombëtarja shqiptare e futbollit ka barazuar 0-0 në miqësoren me Estoninë, e luajtur pasditen e së hënës në “Air Albania”. Trajneri Edy Reja iu dha mundësinë shumë lojtarëve të rinj në këtë takim, ndërsa gjatë pjesës së dytë pati edhe debutime me ekipin A.
Tej tyre, Kombëtarja ka harruar si fitohet, duke marrë tre rezultate “jo” në tre ndeshjet e fundit. Zhgënjimi me Islandën dhe Izraelin në Nation League i lë vend rezultatit të sotëm, kundër ekipit numër 110 në renditjen botërore të FIFA.
Tanimë kuqezinjtë marrin pushimet dhe rikthehen në 24 dhe 27 shtator 2022 me sfidat e Nations League, në Tirana me Islandën dhe në transfertë me Izraelin.
Pas ndeshjes foli trajneri i Kombëtares, Edy Reja.
“Mungesa e golit – Në jetë ndodhin gjëra të tilla dhe duhen gjetur stimuj për të ecur. Është fundi i sezonit dhe duhet të kemi respekt për lojtarët. Kanë luajtur emra të rinj dhe kanë bërë mirë në fundin e sezonit. Lojtarët janë stërvitur dhe kanë treguar cilësi. Krijuam disa raste, pashë gjëra të mira nga emra të rinj. Motivi nuk është gjithmonë i duhuri. Të kemi besim për të ardhmen. Ndeshje të tilla nuk kanë shumë rëndësi në shumë aspekte. Dukej si miqësore gushti pa shumë tifozë dhe ritëm.
Emrat e rinj dhe sinjalet – Fakti që zbresim pak në fundore dhe godasim pak portën nuk më pëlqeu. Punuam për këtë por duhen edhe lojtarë të duhur që driblojnë dhe krijojnë avantazh numerik. Bajrami më pëlqeu, Muçolli gjithashtu. Të jemi të kujdesshëm që t’i kemi në të ardhmen. Mersinaj dhe Çokaj gjithashtu i kam ndjekur. Kemi lojtarë të rinj dhe shumë emra jashtë, të zgjedhim të duhurit për të na nxjerrë nga situata.
Skema – Nuk është gjë e madhe edhe mund të ndryshojmë. Kemi bërë këtë sot me Uzunin. Jemi mësuar të luajmë me këtë skemë. Nga mesi i fushës edhe lart duhet të jemi më kostantë. Vrioni dhe Seferi provuan të shënonin. Nuk kemi lojtarë që të na zgjidhë ndeshjen.
Në ligën B kemi ekipe cilësore si kundërshtarë. Jemi ekip i mirë që na duhet përmirësim si grup, të kemi lidhje me fanellën. Nuk mund të krahasohemi me ekipe si Franca apo Gjermania. Na duhet lidhja me fanellën. Kam folur me lojtarët e vjetër Veseli apo Gjimshiti për skemën. E bëj këtë punë për 50 vite, kjo është skema e duhur për të ecur”, tha Reja.