Një nga legjendat e mbrojtjes së Milanit, Philippe Mexes, ka treguar në një intervistë të dhënë së fundmi për momentet që ka kaluar tek skuadra kuqezi. Ai u ndal të fliste më specifikisht për ish-shokun e tij të skuadrës Zlatan Ibrahimovic.
Francezi ka treguar momentet mbi natyrën e suedezit dhe frikën që ai përcillte në dhomat e zhveshjes.
“Zlatan ishte një i fiksuar. Ai kishte mentalitet fituesi dhe një vetbesim të jashtëzakonshëm, por ndonjëherë ishte vërtet i padurueshëm. Mbaj mend El Shaarawyn që dridhej para tij. Ishte vetëm 17 vjeç në atë kohë dhe nuk kishte guxim të fliste një fjalë”.
Ndërkohë Mexes është ndalur dhe tek pjesa e stërvitjes me “gjigantin” suedez, i cili sot mban rol drejtuesit te klubi i Milanit.
“Çdo stërvitje gjatë asaj kohe ishte si një ndeshje 90 minutëshe, pa mundësi për të marrë frymë apo shpërqëndruar. Trauma nga Ibra ishte reale për shkak të karakterit të tij luftarak dhe konkurrues”, tha më tej francezi.
Edhe pse ka luajtur me emra të tjerë mjaft të njohur në futbollin europian, duket se 43 vjeçari nuk do ta harrojë kurrë aventurën e tij te Milani. E gjitha kjo si pjesë e “traumës” që suedezi i ka përcjellë.