Testi i riparimit, ai i vështiri, do jetë pas dy ditësh. Interi do duhet të bëjë ndeshjen e përkryer kundër Barcelonës dhe sytë do jenë më së shumti të drejtuar nga dyshja Lukaku-Lautaro. Së pari, duhet harruar ndeshja pa gola kundër Romës, në mënyrë që Mesi me shokë të sfidohen më qetësisht.
Të shtunën, ndërkohë, morali është rikthyer i lartë. Fitorja e Lacios mban Juventusin -2 pikë larg dhe kreu rezistoi. Tani radhën e kanë sërish Romelu dhe Martinez. Si në netët e Serisë A, po ashtu edhe të Champions-it, deri tani dyshja nuk ka bërë diferenca.
Mbi të gjitha në 50 ditët e fundit, ose më saktë nga Sasuolo e më pas, në momentet kur loja u vështirësua sepse dëmtimi i Aleksis Sançezit i hoqi një alternativë me peshë sulmit dhe ka detyruar trajnerin të mbajë praktikisht gjithmonë belgun dhe argjentinasin në fushë.
Edhe për këtë arsye, ndeshja negative përballë Smolling, Mançinit dhe një Mirante në mbrëmje hyjnore, mund të listohet si një incident.
Pas shumë golash dhe pasi kanë firmosur në 8 nga 10 ndeshjet e fundit, një xhiro bosh mund të rastiste. Asnjë alarm, pra: është e sigurt që numri 9 dhe numri 10 i Interit do dinë të ringrihen.
SHANS I RI – Të premten në mbrëmje në “San Siro”, asnjëri nga të dy nuk foli për telekamerat. Si gjithmonë, më pas “Instagram” u përdor si komunikues nga të dy. E nisi Lautaro, shumë shpërdorues përpara Mirantes:
“Ndeshje e vështirë, vazhdojmë të punojmë. Forca Inter”. Më pas Lukaku, i markuar pa pushim nga Smolling. “Nuk ishte rezultati që dëshironim, por ecim përpara. Të martën do kemi një tjetër mundësi”.
Një shans për t’u shfrytëzuar me çdo kusht. Për të konfirmuar edhe fjalët e Kontes pas barazimit me Romën: “Interi do meritonte 1/8-at e Champions-it për sa tregoi kundër Barcelonës dhe Borusias”. Lukaku dhe Lautaro duhet të zgjohen shpejt.
Lodhja, në fakt, mund të rezultojë armike. Në 11 ndeshjet e fundit, Romelu ka luajtur plot 7 për 90 minuta të plota. Në dy raste ka dalë nga fusha disa sekonda nga fundi (me Breshën dhe Sasuolon) dhe në sfidat kundër Borusias është zëvendësuar në të 62-ën dhe 73- ën.
Pra, belgu ka bërë “orët ekstra” dhe megjithatë ka ditur të shpërthejë duke shënuar 8 gola me dy dopieta (Sasuolo dhe Bolonja). Shifrat e mikut Lautaro nuk janë më pak të rëndësishme: për të, 6 ndeshje nga 11 të fundit të luajtura të plota dhe 9 gola me dy dopieta (Sasuolo dhe Slavia).
Për nevojë, por mbi të gjitha për sa ka treguar deri këtu, Interi i Kontes është në duart e Lu-La, që ka shënuar 24 sezonalë nga 40. Bashkë me shtesat, dyshja Lukaku dhe Lautaro ka luajtur për 1299 minuta dhe zikaltrit kanë shënuar plot 29 gola. Pa njërin nga të dy, Interi ka luajtur 622 minuta dhe ka realizuar 11 gola.
ENTUZIAZËM – Kundër Barcelonës të martën do nevojiten 90 minuta në maksimum. Do jenë përtej 70 mijë spektatorët dhe “San Siro” i mbushur me entuziazëm do jetë skena perfekte për të ndezur Lu-La.
Edhe pse belgu ka një llogari të hapur me katalanasit: në ndeshjen e vajtjes qëndroi në Milano për shkak të një problemi në shpinë dhe partneri argjentinas mori frerët e sulmit, duke shënuar golin e vetëm për zikaltrit në humbjen 2-1.
Në Champions, “Demi” kishte mbledhur gjithmonë vetëm thërrimet pa shënuar asnjëherë, por pas “Camp Nout” i shënoi dopietë Borusias dhe Slavias. Tani sfida me Mesin është më e rëndësishmja e vitit të parë të Kontes dhe “San Siro” shpreson të ketë Lu-La në maksimum.