Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, foli për MCN TV, pas ndeshjes ku ekipi i tij triumfoi minimalisht ndaj Erzenit.
Tetova deklaroi se skuadra duhet të kishte më shumë uri për të shënuar golin e dytë.
“Erzeni ishte i gjithi në mbrojtje dhe na bllokoi manovrat pasi u rreshtua edhe ndryshe, me 5 mbrojtësa. Në pjesën e dytë u mundova të ndryshoja diçka duke futur 5 lojtarë në sulm. Fatmirësisht në fund ia arritëm të marrim 3 pikët.
Duamena nuk është në kondicionin e duhur, ka pak ditë dhe luan me dhimbje, por ka dëshirë të madhe. Është kapiteni i skuadrës dhe do t’i bëjmë vend në skuadër për atë që ka bërë për ekipin.
Loja i ka këto vështirësi, ka dhe neglizhime nga disa lojtarë. Unë u kërkova në pushim që të kenë durim për të lëvizur topin sepse momenti do të vijë. Erzeni po provonte në tranzicion dhe i kërkova Mëllugjës të bashkohej me mbrojtjen, ishim kompakt, por duhet të kishim më shumë uri për golin e dytë.
Përsëriten ndeshjet, ua shpjegoj lojtarëve që faza e dytë nuk është si e para pasi ekipet njihen. Më intereson që ekipi ka uri për të shkuar drejt fitores”- eshte shprehur Tetova.