Skuadra e Teutës do të fillojë sezonin e ri me ambicie të mëdha dhe kjo shihet qartë nga përforcimet që ka bërë klubi bregdetar ku tashmë trajner është Bledi Shkëmbi.

Ky i fundit kishte lënë të kuptohej se kthehej në Shqipëri për të nisur një eksperiencë me një klub me pretendime dhe merkato e durrsakëve po tregon qartësisht ambiciet për sezonin e ri.

Emri i fundit që u bashkohet durrsakëve është Seku Kamara, futbollisti nga Guinea i cili nën edicionin e kaluar luajti me Flamurtarin.

Sulmuesi ishte ndër më të spikaturit në radhët e klubit vlonjat, por në fund të sezonit nuk gjeti marrëveshjen për të zgajtur bashkëpunimin me të.

Klubi i Teutës, nëpërmjet faqes në Facebook ka zyrtarizuar marrëveshjen njëvjeçare me lojtarin i cili do të vihet nën urdhrat e trajnerit korçar në fazën përgatitore e cila do të vazhdojë në Itali.

Ndërkohë, në ditët në vijim pritet që këtij klubi t’i bashkohet edhe Elvi Berisha, mesfushori i cili u transferua vitin e kaluar nga Tirana te Leganes në Spanjë. Ai pritet të jepet në huazim te durrsakët, ku mund të luajë rregullisht dhe të tregojë talentin e tij. /vipsport/