Teuta do të udhëtojë ditën e diel drejt Shkodrës për të sfiduar në “Loro Boriçi”, Vllazninë. Të besuarit e trajnerit Bledi Shkëmbi nuk po kalojnë një periudhë pozitive teksa në katër ndeshjet e fundit nuk njohin fitore, duke regjistruar tre barazime dhe një humbje.

Ndërkohë, edhe realizimi i golave është një problem më vete pasi durrsakët e kanë gjetur rrugën e rrjetës në këtë sezon vetëm tetë herë dhe më keq ka bërë vetëm Luftëtari i vendit të parafundit.

Mbase ndërprerja e kampionatit ka ardhur në momentin e duhur për “Djemtë e Detit”, si një mënyrë për të riparuar gabimet e ndeshjeve të fundit.

Por, në Shkodër, Teuta duhet t’i trembet një tjetër statistike. Durrsakët nuk fitojnë larg shtëpisë prej sezonit të kaluar teksa më datë 12 maj, mposhtnin në Korçë, Skënderbeun.

Prej atij momenti, Teuta nuk ia ka dalë të marrë pikët maksimale në transfertë, ndërsa në këtë sezon në transfertë kanë grumbulluar katër pikë, falë katër barazimeve, ndërsa në bilanc janë edhe dy disfata. Megjithatë, durrsakët shpresojnë ta kalojnë këtë “makth” në Shkodër, përballë Vllaznisë.  /VipSport/