Një ndër tre sportistët që pritet të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Botëror të peshëngritjes që zhvillohet muajin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është edhe 18 vjeçari shkodran Emanuel Lushi. Ai konsiderohet si elementi më me perspektivë i këtij sporti në vendin tonë dhe pikërisht për këtë, pavarësisht moshës së tij, është përzgjedhur bashkë me Erkand Qerimajn dhe Briken Caljen për të përfaqësuar vendin tonë në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm.

Lushi ka kaluar thuajse përfundimisht dëmtimin që pësoi në Kampionatin Europian të të rinjve dhe tashmë po mendon për Botërorin e të rriturve. Interesant është fakti se ai stërvitet në një palestër të sajuar. Themi kështu, ngaqë siç dihet palestra e klubit Vllaznia është prishur për shkak të rikonstruksionit që po i bëhet stadiumit “Loro Boriçi”. Në kushte të tilla, të mbetur pa një vend për t’u stërvitur, peshëngritësi Lushi bashkë me trajnerin e tij Muhamet Tuzi por edhe ndonjë sportist tjetër, kanë gjetur dashamirësinë e famulltarit të Berdicës, vendlindjes së 18 vjeçarit, për t’i vënë në dispozicion një ambjent të qendrës rinore të kësaj Kishe, për të zhvilluar seancat stërvitore. Natyrisht që kushtet nuk janë të mira megjithatë stërvitja nuk është ndalur për asnjë moment dhe tashmë Emanuel Lushi është në përgatitjet e fundit për Kampionatin Botëror. Në një intervistë për shkodrasport.com ai premton përmirësimin e rezultateve personale dhe dhënien e pikëve për ekipin në këtë garë shumë të rëndësishme. “Tashmë thuajse e kam lënë pas dëmtimin që pësova në Europianin e të rinjve. Kam nisur stërvitjen me ngarkesë dhe po bëhem gati për kampionatin botëror të muajit të ardhshëm. Sigurisht që kushtet në të cilat stërvitem nuk janë të mira megjithatë kemi sajuar këtë palestër dhe për asnjë moment nuk e kemi ndërprerë stërvitjen. Objektivi im padyshim që do të jetë përmirësimi i rezultateve të mia personale dhe dhënia e pikëve për ekipin”- ka thënë ai.Natyrisht që ne presim prej këtyre sportistëve rezultate të larta, por ajo çfarë u ofrojmë si për pagesa e ashtu edhe për kushtet e stërvitjes, lë shumë për të dëshiruar dhe ky është një mëkat i madh për sportin shqiptar.
Gjergj KOLA