Vllaznia do mbyllë sot vitin e saj futbollistik me ndeshjen kundër Kukësit. Një takim që do zhvillohet në orën 16:45 nën prozhektorët e stadiumit “Loro Boriçi”. Kjo sfidë e fundit i gjen kuqeblutë në shtëpinë e tyre, kjo falë shortit që ka pasur kalendari në fillim të kampionatit. Një duel që premton për një përballje të fortë.

Por duke qenë se është ndeshja e fundit e vitit dhe para tifozëve të saj, për Vllazninë ka vetëm një objektiv në këtë përballje. Sonte kundër kuksianëve vlejnë vetëm 3 pikët. Kjo jo vetëm për faktin se luhet në shtëpi, por edhe objektivin madhor që është titulli kampion. Dhe një fitore sonte do ishte mbyllja ideale e vitit.

Duke qenë se jemi vetëm 1 ditë larg Krishtlindjeve dhe 8 ditë larg nga festa e Vitit të Ri, dhurata më e bukur për tifozët shkodranë do ishte një 3 pikësh kundër Kukësit. Mbështetja e tifozëve pritet të mos mungojë sonte në shkallët e “Loro Boriçit”. Kjo edhe për vetë kundërshtarin që është përballë.

Një prej rivalëve më të fortë të këtij sezoni për Vllazninë. Patjetër që edhe futbollistët e Vllaznisë dhe stafi kuqeblu do duan të marrin 3 pikëshin në këtë sfidë. Në mënyrë që të shkojnë sa më të qetë dhe të gëzuar në festat e fundvitit.
Endri ÇINARI