Lorenco Vila nuk është më pjesë e Teutës. Klubi dhe futbollistë kanë ndarë rrugët dhe ditën e sotme ka ardhur edhe zyrtarizimi nga vetë klubi bregdetar që njofton se Vila është larguar pas 6 vitesh me fanellën blu dhe me 4 trofe të fituar, mes të cilëve edhe titullin kampion.

Ashtu siç edhe ka njoftuar “Panorama Sport”, Vila do të transferohet te skuadra e Dinamos pasi klubi kryeqytetas ka arritur marrëveshje me Teutën dhe me vetë lojtarin. Ditët në vijim, pritet edhe zyrtarizimi i Vilës.

NJOFTIM I KLUBIT:

“Mirupafshim Lorenco Vila! Pas 7 vitesh dhe 4 trofe të fituar, Lorenco Vila largohet nga Teuta. Vila spikati në Akademinë e Teutës, dhe u afrua në ekipin e parë në 2016. Gjatë këtyre sezoneve ai ka fituar kater trofe me fanellën blu, ndërsa ka grumbulluar 200 ndeshje dhe ka shënuar 45 gola.

KF Teuta falënderon Lorenco Vila, për gjithë kontributin e dhënë përgjatë aventurës së tij me “Djemtë e Detit”. Vila meriton një vend në histori për gjithçka ka dhënë. KF Teuta i uron suksese në vazhdim”, shkruan klubi i Teutës.