Vllaznia vijon përgatitjet për fillimin e sezonit të ri, por mbetet ende në kërkim të një tjetër 9- shi pas Balës. Te Vllaznia po kalon një periudhë prove ekuadoriani Frank Obando. Ai luan si sulmues, është 25 vjeç dhe 1.86 metra i gjatë. Lojtari do të jetë në provë për disa ditë dhe më pas e ka radhën stafi teknik që do të vendosë për fatin e tij, kjo edhe pas miqësores së zhvilluar ndaj Tiranës.

Ai u aktivizua për disa minuta, por pa dhënë ndonjë gjë konkrete. Megjithatë mesa mësohet edhe për disa ditë do të shihet paraqitja e tij.

Ndërsa mësohet se kuqeblutë po presin edhe një përgjigje nga sulmuesi bullgar, Nasko Milev, i cili ende është pa skuadër pas prishjes së kontratës me Shkëndijën e Tetovës. Sulmuesi 26-vjeçar nga Plovdivi te Shkëndija kishte arritur nga radhët e skuadrës së FK Panevezys nga Lituania, aty ku gjithashtu kishte luajtur me fanellën e Dziugas.

Karrierën e kishte nisur në vendlindje te Botev Plovdiv, ku ka luajtur 4 sezone si profesionist, para se të paraqitej me Slavia Sofia dhe Lokomotiv Sofia. Milev me Shkëndijën mësohet se ka zhvilluar 13 ndeshje, duke regjistruar 3 gola dhe 2 asistime.