Po jetojmë në një periudhë të vështirë për shkak të Koronavirusit që nuk njeh shkencë dhe ka vënë në vështirësi të mëdha mjekësinë botërore. Përditë infektohen dhe humbin jetën një numër i madh njerëzish që nuk fitojnë dot betejën me virusin që ia ka dalë të futet në organizmin e tyre.

Ndaj, masa më e mirë për t’u mbrojtur nga COVID-19, është të qëndrosh në shtëpi dhe të shmangësh kontaktin me njerëzit. Por, këtë rregull të thjeshtë në thelb nuk ka mundur ta zbatojë, Luka Joviç.

Sulmuesi i Real Madrid është kthyer në vendlindje, Serbi, dhe nuk ka mundur të qëndrojë larg të dashurës së tij. Sidomos, në një ditë të veçantë për të kur ajo kishte datëlindjen.

Por, lëvizja e futbollistit është zbuluar dhe ai tashmë rrezikon një ndëshkim shembullor. Për Joviç, tashmë ka një dosje e cila do të dërgohet në gjyq për të marrë më pas një vendim.

Dënimet variojnë dhe nëse personi që ka thyer karantinën ka infektuar një tjetër, atëherë si masë përdoret edhe ndëshkimi me burg. Kështu, Joviç tashmë rrezikon shumë dhe një surprizë për të dashurën në këto kohë mund t’i kushtojë shtrenjtë. /VipSport/