Kalimi i javëve dhe rritja e presionit të skuadrave të tjera ndaj Vllaznisë, ka bërë që kjo e fundit të humbasë jo pak gjëra nga vetja dhe nga ajo ecuri e gjysmës së parë të kampionatit.
Megjithatë tashmë duket se edhe skuadra shkodrane duhet të fillojë të bëjë llogaritë e saj. Këtë gjë e ka thënë edhe ish- futbollisti i kësaj skuadre, Amarildo Belisha i cili ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Arena”.
“Vllaznia duhet të jetë agresive. Tashmë skuadra nuk duhet t’i respektojë kundërshtarët në fushën e lojës. Duhet të tregohet më cinike, më e ashpër pak. Duhet t’i mendojë gjërat pak më ndryshe dhe pse jo, për ta marrë fitoren edhe me zor nganjëherë.
Nuk duhet që ekipi t’i lërë gjithçka lojës së bukur, por të synojnë për të marrë pikët. Vllaznia është e etur për pikë. Tirana vjen në Shkodër pa presion, vërtetë ka mungesa, por vjen për të luajtur e qetë futboll sepse në këtë stadium, të gjithë vijnë e luajnë qetë.
E mendoj një ndeshje të vështirë, por për rezultatin varet pastaj në dorën e futbollistëve të Vllaznisë sesa sakrificë do të bëjnë për të marrë këtë trepikësh. Unë për vete besoj tek fitorja j vetëm ndaj Tiranës, por edhe në ndeshjet e tjera.
Por e përsëris, duhet më shumë besim, më shumë kurajo dhe larg euforisë. Vllaznia nuk duhet ta ketë më mendjen tek 4 pikët e diferencës me ndjekësit. Këtë katërpikësh ta lëmë për ditë të vështira.
Nuk duhet të mendojmë kurrsesi se kemi 4 pikë epërsi dhe hajt se na falet edhe ndonjë gabime tjetër. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një si në fillim të kampionatit dhe të mos shohim çfarë bëjnë kundërshtarët. Vllaznia duhet të hyjë në çdo ndeshje vetëm për të fituar”- ka thënë Belisha.
Ish- mesfushori i kuqebluve në analizën e tij kuptohet që flet edhe për gabime dhe ndonjë problem që po shfaq skuadra në këto ndeshjet e fundit, megjithatë sipas tij, nuk është koha dhe as vendi për të folur për të tilla gjëra.
“Unë dua t’u bëj thirrje të gjithëve, duke filluar nga kryetarja e Bashkisë e para dhe pastaj gjithë të tjerët poshtë saj, të jenë përkrah Vllaznisë. T’i japin suportin e duhur skuadrës në këto momente sepse asgjë nuk ka përfunduar. Të mos harrojmë se ajo është sërish e para dhe duhet të kontribuojmë të gjithë që Vllaznia të mbesë e para deri në fund të kampionatit.
Po shohim qe kane filluar serish hilet dhe aleancat, nderkohe qe Vllaznia ashtu si gjithmone, vazhdon te jete serish e vetme, prandaj te gjithe ne, duhet te jemi perkrah saj”- deklaroi Belisha./SHKODRA-SPORT.COM/