Nevil Dede ka komentuar fitoren e Vllaznisë kundër Kukësit, e cila erdhi falë një goli në minutën e 96 që i çoi shifrat në 2-1. Trajneri i Dinamos ka folur në emisionin “Skaner” në “MCN TV”, ku ka nxjerrë në pah një të metë të shkodranëve. Sipas Dedes, burimi i rrezikshmërisë së Vllaznisë është vetëm entuziasmi që vjen nga tifozët në stadium. Në momentin që zëri i tyre pushon, të njëjtin efekt pëson edhe loja e kuqebluve.
“Më vjen keq për Tafas që gaboi, sepse gaboi rëndë. Në golin e dytë ishte aq e shpejtë dinamika sa mund të kishte menduar se dikush tjetër mund të mbulonte topin. Një gjë që nuk më pëlqeu në stadiumin e Shkodrës.
E kam thënë dhe do e them gjithmonë me forcë, Vllaznia është e frikshme dhe e rrezikshme kur ka entuziasëm nëpërmjet tifozëve dhe stadiumit. Vllaznia sa u barazua ndeshja 1-1 u shua si skuadër dhe u shua edhe stadiumi. Vetëm fati i ndihmoi në fund, ajo perla e Herlad Markut dhe këmbëngulja e Kainës.
Josa, gjithsesi, me zëvendësimet që bëri arriti t’ja dilte. Kishte një “zjarr“ që po i shuhej në çdo moment, por në fund fare u ndez në një mënyrë të çuditshme. Me cilësinë apo këmbënguljen e një apo dy futbollistëve ata arritën që të fitonin një ndeshje që për mua ata nuk meritonin ta fitonin.
Kishin momente që edhe meritonin ta humbin. Jo se Kukësi bëri më shumë, sepse me 20-30 minuta nuk pretendohet të fitosh një ndeshje. Por me mënyrën si shkoi kjo ndeshje mund ta fitonte Kukësi dhe nuk do të vidhte asgjë“, ka thënë Nevil Dede./Sport Ekspres/