Vllaznia-Kukësi u gjykua nga arbitri Kridens Meta në fushë, ndërsa në dhomën VAR ishin 2 gjyqtarë me stemën e FIFAs, Juxhin Xhaja dhe Denis Rexha. Në përgjithësi, ndeshja shkoi mirë dhe pa raste të kontestuara, por kur sfida po shkonte drejt fundit, u regjistrua edhe rasti i vetëm për moviolë.

Minuta 90+2′. Kaina pengohet në zonë nga Ilieski dhe gjyqtari Meta akordon penallti. Rasti kontrollohet dhe gjyqtari Meta, thirret nga arbitrat e VAR-it për ta parë nga afër rastin.

Pas kontrollit me VAR, gjyqtari e ndryshon vendimin duke e anuluar penalltinë dhe karton i verdhë Kianës për simulim. Një rast i dyshimtë, pasi mungon pamja e saktë nga prapa nëse Ilieski e ka penguar apo ka pasur kontakt me këmbën e djathtë në këmbën e Kainës.

Ajo që mund t’i ketë bindur gjyqtarët e VAR-it për të anuluar penalltinë, ishte edhe hedhja disi e ekzagjeruar e brazilianit të Vllaznisë.

Duke munguar pamja e saktë, i bie që të vlerësohet vendimi i gjyqtarëve të VAR-it, të cilët thirrën dhe i mbushën mendjen edhe kryesorit Meta.