Vllaznia mbrëmë bëri debutimin për sezonin 2022-23. Shkodranët e hapën edicionin e ri me një ndeshje europiane siç ishte ajo kundër Univ.Craiova, takim i vlefshëm për raundin e dytë të Conference League. Gjithçka u mbyll në shifrat 1-1 mes kuqebluve të drejtuar nga Mirel Josa dhe rumunëve.

Në përgjithësi ky ishte një rezultat pozitiv që lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit pas një jave në transfertë. Vllaznia iu përgjigj deri diku kundërshtarit, që ndoshta kishte ndonjë cilësi më tepër në fazën sulmuese të lojës. Megjithatë duket se formacioni në takimin e kthimit për 9 herë kampionët e vendit tonë do “përmbyset” thuajse totalisht.

Kjo për shkak të performancës që zhvilluan lojtarët që erdhën nga stoli. Kështu Ardit Hoxhaj që hyri në fushë në vendin e Krujes në fillimin e pjesës së dytë, shënoi golin e barazimit dhe tashmë është kandidati kryesor për të qenë titullar. Herald Marku jo vetëm që i dha një tjetër ritëm lojës, ndryshe nga sa po bënte Heriç, dhuroi edhe asistin e golit për vlonjatin.

Po ashtu Kaina u duk në performancën e tij më mirë se sa Aralica, që ishte preferuar titullar nga Josa. Kuotat për brazilianin janë rritur shumë me ndeshjen dhe forcën që tregoi dje, ndaj një mbrojtjeje të egër rumune.

E gjithashtu duhet parë edhe gjendja e Liridon Latifit, nëse do jetë në formën e tij më të mirë fizike në takimin e kthimit. Kjo tregon se tek kuqeblutë ka konkurrencë dhe ata që mund të cilësohen si lojtarë “stoli” mund të hynë në fushë e të bëjnë diferencën.
Endri ÇINARI