Presidenti i Tiranës, Refik Halili, pas ndeshjes me Zrinjskin ka deklaruar se skuadra ndoshta nuk është në formën maksimale në këtë pjesëmarrje në Europë dhe nuk do të bëjë merkato. “Janë lojtarë të cilët nuk po japin në formën e tyre siç është Da Silva. Unë jam paksa i pakënaqur për 2-3 futbollistë, që e dinë se kush janë e ndoshta nuk janë në formën më të mirë. Nuk ka nevojë fare ekipi për merkato për kampionatin shqiptar. Merkato është shumë e mirë për kampionatin shqiptar”, deklaroi Halili.

Vetëm pak minuta më vonë në konferencën për shtyp, Shehi ka mbetur i habitur me atë që ka deklaruar presidenti i Tiranës. “Unë mendoj se duam përforcime. Nuk e di si e sheh presidenti, por në diskutimet që kemi bërë para ndeshjes neve na duhen akoma lojtarë. Të mos harrojmë që kemi lojtarë të cilët mund të lëvizin siç është rasti i Taulantit. Nuk e kemi plotësuar organikën. Na duhen lojtarë për të plotësuar organikën e skuadrës. Ky është mendimi im”, tha Shehi.

Në fakt, një situatë e tillë stonon, me presidentin që u mbyll derën afrimeve dhe Shehit që kërkon lojtarë. Pavarësisht fjalëve, skuadra kërkon me ngulm lojtarë. Dihet që kërkohet në tri reparte për të afruar futbollistë niveli. Mbetet për të parë si do të shkojë situata, por është hera e parë që mes dyshes ka një moskoordinim deklaratash.

Në rastin që nuk do të ketë merkato, atëherë Tirana do të ishte në disavantazh, sepse realisht në Europë u pa që skuadra ka nevojë për prurje të reja.Për sa i përket merkatos në hyrje, Husein është lojtari i pestë që Tirana afron këtë verë. Dihet që Tiranës i janë larguar tre lojtarë me peshë, Erjon Hoxhallari, Majkëll Ngoja dhe Ardit Toli, si dhe sportistë të tjerë që nuk kishin hapësira.

Futbollistët që ishin titullarë sezonin e shkuar. Këtë verë janë afruar Huseini, Aleksi, Hasani, Iseni dhe Hila, ndërsa vetëm ish-lojtari i Teutës ka luajtur titullar. Bardheblutë duan akoma futbollistë në organikë, por skuadra do të plotësohet ndoshta pas ndeshjes së dytë të Konferencë Ligës.