Vllaznia arriti një fitore në frymën e fundit kundër Kukësit mbrëmë. Shkodranët fituan në shifrat 2-1 falë një goli të Herald Markut në minutën e 95-të të ndeshjes. Ku më parë avantazhi i kuqebluve me Heriç ishte arritur nga goli i Zivkoviç. Ky sukses rikthen qetësinë pas asaj “amullie” që erdhi nga humbja në ndeshjen e parë kundër Erzenit.

Një futbollist që debutoi mbrëmë për herë të parë me ngjyrat kuqeblu ishte edhe Esat Mala. Mesfushori që u afrua në këtë merkato verore pati prezantimin e parë para tifozerisë shkodrane në një takim delikat si ky kundër Kukësit. Dhe prizrenasi u shfaq në formën e duhur duke dhuruar një performancë që “ngroh” dhe garanton për të ardhmen.

Grintë, forcë por edhe teknikë ishin cilësitë që shfaqi ish-futbollisti i Partizanit. Madje Mala kishte edhe dy mundësi ndoshta jo edhe aq të pastërta për të shënuar. Gjithashtu edhe asistoi dy herë për Latifin, por ky i fundit nuk u tregua i saktë në finalizim. Performancën e parë të 23-vjeçarit e vlerësuan maksimalisht edhe tifozët në “Loro Boriçi”.

Të gjithë u çuan në këmbë për të duartrokitur në minutën e 88-të, ku Mala la fushën për tu zëvendësuar nga Çoba. E duket se drejtuesit e Vllaznisë kanë goditur në shenjë me afrimin e Males në skuadër. Një prej më të mirëve të kampionatit tonë në vite e fundit e që mendohet ta ndihmojë shumë skuadrën në këtë edicion.
Endri ÇINARI