Që nga momenti kur Shqipëria ka filluar të koleksionojë humbje të njëpasnjëshme, tifozët shqiptarë kanë filluar të kërkojnë kthimin e Xhani De Biazit në pankinën kuqezi.

Hipoteza duket thuajse e pamundur për momentin, si për qëndrimin e FSHF-së në mbështetje të vazhdimësisë së Kristian Panuçit, ashtu edhe për faktin se ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, pret të marrë drejtimin e një prej Kombëtareve që do të marrin pjesë në Botëror.

“Kur do të kthehem në pankinë? E pyes edhe unë veten, mendoj se duhet të pres fillimisht fundin e Botërorit, pastaj të shohim. A mund të jetë një nga kombëtaret ekipi i radhës?

Po, mund të jetë”, tha ai për RMC ku komentoi më pas edhe ata që sheh si pretendentë për të fituar turneun.

“Po ju them tre skuadra: Brazili, Gjermania dhe Spanja. Këto tre janë sipas meje më të favorizuara. Pastaj mendoj ekipe si Belgjika dhe Franca që kanë më pak shanse, edhe pse kanë organikë me cilësi.

Pastaj varet nga momenti në të cilin gjenden në Botëror, se si janë fizikisht, shumë gjëra që kanë lidhje me situatën brenda dhomave të zhveshjeve.

Portugalia mendoj se ka përfituar shumë nga fati në Europian, ishte me shumë fat, pasi mbërriti në majë pas një fillimi të vështirë. Kush fiton zakonisht ka të drejtë, ndonëse mua nuk më entuziazmoi”, shpjegoi ai.

De Biazi i kushtoi vëmendje edhe ekipeve të Ballkanit, me Kroacinë e Serbinë që kanë përbërje mjaft cilësore.

“Teknikisht Kroacia është shumë e fortë, edhe Serbia ka lojtarë të mirë dhe cilësi. Por shpesh nuk bëjnë skuadër dhe nuk janë në maksimum në momentin të rëndësishëm të turneut, ndonëse kanë lojtarë të nivelit ndërkombëtar që luajnë në klubet mëdha.

Nga pikëpamja teknike, Kroacia nuk duhet t’ia ketë zili askujt. Ndërsa Serbia ka lojtarë të mirë por në ndonjë repart ka vështirësi”, deklaroi De Biazi. /vipsport/