Nëse Vllaznia ka arritur të fitojë diçka sezonin aktual, ajo është pikërisht tifozëria. Grupimi i ri, që pozicionohet çdo ndeshje në tribunën C5 në stadiumin “Loro Boriçi”, nuk ngurron të shkojë në çdo cep të Shqipërisë për të ndjekur nga afër skuadrën e tyre të zemrës, harxhojnë shuma të konsiderueshme për dekorin, banderolat apo flamujt, por asgjë nuk i ndal, mjafton që në stadium të jenë superiorë dhe kënga e tyre të dëgjohet më shumë, sesa ajo e rivalëve përkarshi.
Ky është realiteti më i ri i futbollit shkodran, që duket se po fiton sërish popullaritetin e munguar. Tifozë fanatikë, me një mënyrë organizimi për t’u patur zili, tashmë janë ata protagonistët e vërtetë në prapavijën e futbollit.
Nuk e kanë për gjë të bëjnë kilometra të tëra, apo të lënë mënjanë detyrimet e tjera, pse jo edhe familjare, mjafton që ndeshja “derbi” të fitohet, është më i rëndësishëm edhe se vetë titulli kampion. Në Shkodër, përballja nis që të hënën në rrjetin social “Facebook”, aty ku nisin batutat, kundërbatutat dhe thumbimet, madje ku shpeshherë, lindin edhe këngët e reja që do të këndohen në tribuna, apo sloganet që do të përdoren në përballjen me kundërshtarët.
Me krijimin e këtij tifogrupi, kultura futbollistike në Shkodër po merr një tjetër zhvillim. Veshje e unifikuar, një cep i tëri në “C5” i zënë, udhëtime në grup dhe këngë në unison, nuk mund të dilet kundër rrymës, të gjithë bashkë për një qëllim.
Në fakt, tifozët e Vllaznisë njihen për masivitetin e tyre në shkallët e stadiumit. Shkodranët kanë pasur edhe një arsye për të qenë të shumtë në numër këtë vit, për faktin se ekipi i tyre vjet u shpall nënkampion, duke luftuar për titull deri në ndeshjen e fundit të sezonit.
Ndërkohë që, duket se po lind sërish një tjetër tifogrup shkodran, pikërisht grupimi i C5, të cilët janë parë rregullisht në ndeshjet e fundit. Përveç ndeshjeve në “Loro Boriçi”, ku dihet që ultrasit kuqeblu nuk mungojnë ndonjëherë, ata kanë qenë protagonistë edhe në takimet në transfertë, sidomos në Tiranë, kur të shumtë në numër, kanë udhëtuar bashkë në drejtim të kryeqytetit për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës, në ndeshjet e fundit me Tiranën apo edhe Partizanin, ku mijëra shkodranë kanë qenë të pranishëm në “Air Albania”.
Ultrasit kuqeblu dallohen për kulturën e tyre në shkallët e stadiumit dhe nuk ngurrojnë të duartrokasin edhe ekipet kundërshtare kur shfaqin një futboll të bukur, ekskluzivitet ky për tifozët e ekipit 10 herë kampion i Shqipërisë. Tifozët e Vllaznisë janë gjithmonë aty, protagonistë dhe pavarësisht se në sezonin e fundit ekipi që ata përkrahin nuk mundi t’i kënaqë duke fituar titullin, ata e vazhduan mbështetjen e tyre edhe në ndeshjet e Kupave të Europës, madje edhe në transfertat e tyre me Siroki dhe me AEL Limassol.
Vllaznia është ekipi që ka mbështetjen më të madhe në veriun e Shqipërisë dhe janë një nga tifozëritë më interesante dhe pozitive në kampionatin shqiptar të futbollit.
Për të kaluar tek organizimi i rradhës që është ndërmarrë nga grupimi “Vllaznia Diasporë” i cili ka bërë të mundur pjesëmarrjen në stadium të 20 fëmijëve, në ndeshjen Vllaznia-Partizani. Një gjest për t’u rrespektuar dhe duartrokitur.
“Grupi jonë “Vllaznia Diasporë” ka kontaktuar dhe rënë dakord me stafin e Shtëpisë së Fëmijës Shkodër, për të bërë të mundur pjesëmarrjen në stadium të 20 fëmijëve në ndeshjen Vllaznia-Partizani. Fëmijët do të shoqërohen nga katër kujdestarë.
Në drekë do të ndalen te “Proper Pizza”, ku do kenë falas një picë + pije dhe pasdite në stadiumin “Loro Boriçi”, për të shijuar ndeshjen. Shpresojmë që t’ia ndryshojmë sadopak rutinën e përditshme dhe të kënaqen.
Idesë tonë iu bashkua pa hezitim “Proper Pizza” Shkodër, që bëri të mundur edhe heqjen e shpenzimeve. Faleminderit dhe Zoti ua shtoftë bereqetin dhe dashurinë për Shkodrën dhe shkodranët”,-shkruhet në njoftimin e “Vllaznia Diasporë” në “Facebook”.
Maringlen ZHIVANI